Shqipëri/ Vendimi i Metës për Teatrin, opozita: Ktheu ligjin e korrupsionit qeveritar

28.07.2018 10:39:59

Vendimi i Presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar solli zhgënjimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili konstatoi se Kreu i Shtetit nuk doli dot përtej familjes politike dhe paralajmëroi shtatorin si muajin kur riniset nga puna.

Por vendimi është reflektuar pozitivisht në radhët e opozitës. I pari që e ka përshëndetur rrëzimin e ligjit nga Meta është deputeti i PD, Tritan Shehu, i cili  thotë se vendimi është racional dhe i argumentuar mirë.

“Një vendim racional e i përgjegjshëm i Presidentit Meta, shume mire i argumentuar ky, për te kthyer ne Kuvend ligjin arbitrar, klientelist, qe godet vlerat tona kombëtare, veçanërisht ato te lidhura me trashëgiminë Perëndimore e Italiane, fatkeqësisht dhe aktualisht te paketa këto ne vendin tone.
Një ligj ky qe jo vetëm na largon nga Europa për varfërimin e këtyre trashëgimive, por edhe pse bije ndesh me parimet e BE, te pranuara nga ne. Debati përsëri është i hapur tashme!”, shkruan Shehu në Facebook.

Një reagim ka ardhur edhe nga kryetarja e Komisionit të Trashëgimisë Kulturore, Albana Vokshi, e cila thotë se, “ushtrimi i përgjegjësive kushtetuese nga Presidenti z. Ilir Meta dhe argumentimi i plotë i bërë në dekretin presidencial të refuzimit të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, janë një dëshmi tjetër që veprimi i Edi Ramës ishte dhunim flagrant i Kushtetutës”.

“Veprimi i Presidentit të Republikës, meriton të përshendetet!”, thekson Vokshi.

Më tej deputetja e PD shton se ky vendim nxjerr në pah “rrezikun që i kanoset Shqipërisë nga veprimet antikushtetuese, arbitrare dhe korruptive të Qeverisë, dhe pasojat që mund të sjellë mungesa e gjatë e Gjykatës Kushtetuese”.

“Gjej rastin të falenderoj edhe njëherë te gjithë artistët, aktivistët dhe organizatat ndërkombëtare qe ju bashkuan qëndresës për të mbrojtur Teatrin Kombëtar, ndërtesën unike me vlera të jashtëzakonshme në Trashëgiminë Kulturore Europiane, si dhe për të ndalur grabitjen e pronës publike për qëllime korruptive.  I bëj thirrje deputeteve socialist të reflektojnë dhe lexojnë me vëmendje Dekretin e Presidentit, si dhe të heqin dorë e të mos i nështrohen urdhrit mafioz të Edi Ramës, por të mbrojnë trashëgiminë kulturore, pronën publike dhe interesin publik. Qëndresa duhet të vazhdojë derisa ky ligj të varroset perfundimisht. Unë do të jem atje në shesh me qytetarët derisa kjo të ndodhë”, thotë më tej Vokshi.

Edhe kreu i Grupit të LSI, Petrit Vasili ka komentuar pozitivisht vendimin e Presidentit Ilir Meta. Vasili shkruan në Facebook se dekreti i Kreut të Shtetit për kthimin e ligjit për Teatrin, ishte provë e përgjegjshmërisë së lartë për respektimin e Kushtetutës dhe ligjit.

“Pas ditëve të errëta kur Kushtetuta dhe ligji u nëpërkëmbë,n e se bashku me to u trondit edhe shteti ligjor dhe korpusi demokratik i ekzistencës se Shqipërisë, sot ky qëndrim i Presidentit zgjoi shpresën për rikthimin drejt shtetit te se drejtës, mbrojtjes se integritetit te pronës publike dhe respektimit te lirive e te drejtave te njeriut. Dite e mire për Shqipërinë e arsyes”, thotë Vasili.