Vendimi i qeverisë shkakton kaos, turma të mëdha njerëzish pranë pikave të postës

24.03.2020 10:35:33

Qeveria e Kosovës nxori vendim që nga sot të aplikohet ‘ora policore’ në Kosovë, me kufizim lëvizje nga ora 10:00-16:00, dhe nga 20:00 deri në 06:00.

Që të mos i zë ora policore, pas këtij vendimi të lëshuar nga qeveria, qytetarët ia kanë mësyrë pikave të Postës së Kosovës, për të tërhequr paratë e ndihmave sociale që do të dalin sot.

Sipas disa fotografive që po qarkullojnë në internet, qytetarët në Klinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, etj, po rrinë në një afërsi shumë të ngushtë me njëri tjetrin.

Ndërkohë, policia dhe asnjë zyrtar qeveritarë nuk po shihet në teren për të zbatuar urdhrin që qytetarët të rrinë në distancë të paktën 1.5 metra.

Fotografi të ngjashme janë publikuar edhe dje në Pejë, teksa shiheshin qytetarë duke pritur në radhë për të marrë miell falas.

Ndërkohë, siç ka njoftuar qeveria, sot do të transferohen ndihmat sociale, 10 ditë para, për dy muaj në vijim.

Siç kishte njoftuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti ditë më parë, pagesa e muajit të dytë nuk do të hyjë në përllogaritjet e muajve në vijim që do të thotë u falet përfituesve.