Vendimi i Ramushit rihapë çështjen e Demarkacionit, apo fuqizon varësinë nga Serbia dhe nga Mali i Zi?

11.09.2017 22:00:03

Nga Rexhep Kastrati

Çështja e Demarkacionit me Malin e Zi është një nga çështjet ndaj të cilës kam mbajtur parasysh dimesnionin e saj gjeopolitik, më shumë sesa dimensionin e saj në terren. Është kështu për faktin se çështja e kufijve, përveçse çështje e dy shteteve është edhe çështje e një interesi dhe karakteri gjeopolitik, sidomos në kontekstin tonë rajonal. Në rastin tonë, kjo është refelektuar në dy raste: në rastin e kufirit me Maqedoninë, dhe në rastin e kufirit me Malin e Zi. Të dyja këto shtete kanë qenë historikisht nën ndikimin serbo-rus, dhe me një qasje hegjemoniste ndaj shqiptarëve. Mirëpo, përveç kësaj, këto dy çështje shpërfaqin disa veçori, në bazë të të cilave afrohen, apo largohen, përkatësisht janë të ngjashme dhe të ndryshme: në të dy rastet bëhet fjalë për kufij ndërmjet shqiptarëve dhe territoreve shqiptare, demarkimi i kufirit me Maqedoninë është bërë në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar ndrëmjet dy shteteve të ndryshme, kurse Kosova nuk ka qenë palë, kurse asaj i është imponuar edhe nëpërmjet Pakos së Ahtisarit. Në këtë aspekt, dimensioni gjeoploitik i saj ka të bëjë edhe me faktin se ka pasur një kompromis dhe dakordësi të përbashkët amerikano-ruse që marrëveshja e vitit 2001, e nënshkruar në Shkup nga presidentët e dy shteteve: Serbi/Mali i Zi dhe Maqedoni, të vlejë si kusht për Kosovën. Në kontekst të debateve diplomatike edhe në Vjenë gjatë negociatave të udhëhequra nga presidenti Ahtisari, e ku kishte pasur përkrahje ndarja e Kosovës, respektimi i marrëveshjes së vitit 2001, ishte edhe si fitore e mosndarjes së Kosovës, por edhe si respektim i ligjit ndërkombëtar, pasi që ajo marrëveshje ishte nënshkruar ndërmjet dy shteteve të pavarura. Dhe kjo marrëveshje,e dhe pse Kosovës ia humbiste 2000 – 3000 hektarë, megjithatë u zbatua nga institucionet e Kosovës. Në anën tjetër, dimesnioni gjeopolitik i këtij demarkimi vërehet edhe në faktin se Maqedonia kishte kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndër tjerash, edhe me zbatimin e marrëveshjes në fjalë, edhe me njohjen e Maqedonisë nga Kosova me emrin e saj kushtetues. Dhe kjo mund të ishte edhe një sfidë e Shkupit për Kosovën për të pasur pretekst për mosnjohjen e Kosovës, apo për të relativizuar ndikimin rus në arë shtet.

Në anën tjetër, marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi është marrëveshje ndërmjet dy shteteve të pavarura: Kosovës dhe Malit të Zi në bazë të punës së bërë nga një Komision të miratuar nga Qeveria e Hashim Thaçit dhe nga Kuvendi i Kosovës. Cilësia e kësaj marrëveshje nuk ishte përgjegjësi e Qeverisë Mustafa, por ishte obligim për të për zbatimin e saj, sepse në rastin e Marrëveshjes së 19 prillit 2013, Gjykata kushtetuese kishte thënë se nuk mund të interpretonte marrëveshjet ndërkombëtare, pra nuk mund të ishte objekt i një trajtimi juridiko-kushtetues. Në anën tjetër, në favor të kësaj marrëveshjeje ishte investuar edhe Departamenti Amerikan të Shtetit, i cil dy herë shpalli të drejtë demarkimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe pat një Komision me ekspertë ndërkombëtarë të emëruar nga presidentja Jahjaga, i cili, po ashtu, konfirmoi se demarkimi ishte në rregull. Investimi kaq i madh i bashkësisë ndërkombëtare, sidomos i SHBA-ve, ia rriste tepër shumë peshën gjeopolitike demarkimit të kufirit me Malin e Zi, dhe në një mënyrë të qartë përcillte mesazhin se kjo marrëveshje do të duhej të zbatohej. Po ashtu, marrëveshja e demarkimit me Malin e Zi, ishte realizuar në mirëkuptim dhe në shlirshmërinë e plotë negociuese, përgjegjësinë politike e kishin të përbashkët PDK-AAK dhe Nisma si pjesë e PDK-së. Në Mal të Zi, që nga ardhja e Gjukanoviqit në krye të shtetit, orientimi euro-atlantik i këtij shteti kishte qenë i vazhdueshëm dhe gjithë qëndrimet dhe sjelljen rajonale e realizonte në bashkërendim me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n.Afrimi i Malit të Zi me SHBA-të dhe me NATO-n, kishte tronditur edhe Serbinë, edhe Rusinë, sidomos sjellja e saj në raport me Kosovën, të cilën e kishte njohur pa kushte. Serbia dhe Rusia janë munduar që të nxisin tensione ndërmjet Kosovës, në mënyrë që të forconte forcat proserbo-ruse që janë të fuqishme në Mal të Zi, që të pengonte afrimin e Malit të Zi me NATO-n dhe me SHBA-të, dhe ta fuste në konflikt me NATO-n, sepse një tensionim ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, do të ishte edhe një tensionim ndërmjet Malit të Zi dhe nATO-s, për shkak të KFOR-it. Në anën tjetër, një tensionim i raporteve ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, do të ishte edhe si bazë për destabilizimin e rajonit. Kjo u pa në rastin kur nga Kosova u provua të futeshin forca kriminale serbe për të kryer grushtshtet në Mal të Zi. Kundërshtimi i demarkacionit, kështu dilte të ishte interes i Serbisë dhe i Rusisë, prandaj edhe paraqiste që kalonte përmasat lokale.

Tashmë kur Ramush Haradinaj ka shkarkuar Komisionin shtetëror në krye me Murat mehën, dhe ka emëruar Shpejtim Bulliqin që ta formojë Komisionin me përbërje tjetër, ndërkohë që drejton një Qeveri të varur nga Serbia, çfarë do të jenë efektet e një vendimi të tillë: do ta rihapë çështjen e demakracionit, apo do të vë nës provë orentimin e eruo-atlantik të Malit të Zi? Rihapja e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, a është i mundshëm realisht, dhe a do të sfidonte qëndrimin kosntruktiv të shtetit fqinj, pasi që do të shërbente si motiv për forcat proserbe dhe proruse të forcojnë retorikën kundër Kosovës dhe kundër NATO-s, do të sfidonte Departamentin Amerikan të Shtetit dhe vetë BE-në. Në anën tjetër, edhe nëse do të rihapej dhe palët do të mbajnë qëndrime të ndryshme, dhe madje do të prodhojë edhe një situatë që t’i drejtohen Gjykatës së Arbitrazhit, edhe në atë rast, është e qartë se kjo gjykatë do të konfrimonte parimin kadastral në përcaktimin e vijës kufitare. Dhe do ta bënte këtë, sepse këtë parim ka konfrimuar për vendosjen e kufirit ndërmjet Sllovenisë e Kroacisë. Vetë AAK në opozitë kishte deklaruar jo njëherë se në bazë të parimit kadastral, vija kufitare dilte sipas Komisionit të udhëhequr nga Murat Meha, por ata zotoheshin që do të ndryshonin parimin në bazë të të cilit do të rivendosej vija kufitare. Kështu del se edhe çuarja e çështjes në Arbitrazh, do të dilte një dështim.

Krejt çështja po mbetet në vullnetin e Malit të Zi, duke krijuar edhe një varësi tjetër: pas varësisë nga Serbia, Qeveria e Ramush Haradinajt do të ishte e varur nga Mali i Zi. Mosgatishmëria e Malit të Zi për të rinegociuar Marrëveshjen, por edhe rrëzimi i pretendimeve të Ramushit nga ana e Arbitrazhit, do të duhej të sillte fundin e Qeverisë së tij.

Miratimi i demarkimit me Malin e Zi në kufijtë sipas marrëveshjes aktuale, do të rrëzonte gjithë kauzën e Ramushit që ka qenë një nga arsyet se përse ra Qeveria e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa. Dhe kjo edhe në një rast që nuk do të kishte probleme të tjera, por nëse i shtohet kësaj edhe fakti se lista “Srpska” ka në dorë qëndrueshmërinë e Qeverisë, dhe faktin se vitin e kaluar ka bojkotuar bashkë me VV-në, AAK-në e Nismën seancën kur duhej të futej në rend dite projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Pra, kjo çështje tash më shumë sesa dje, është e varur nga lista “Srpska”, e cila ose nuk do ta votojë, ose do ta kushtëzojë me kushte të rënda. Dhe Asociacioni është kusht i patejkalueshëm, madje jo sipas vërejteve të Gjykatës kushtetuese.