Vendimi për të arrestuarit e Kukësit, 1 mijë policë për zhvillimin e procesit

04.04.2018 20:30:05

Një pjesë e Tiranës u zgjua nën masa të rrepta sigurie. Disa rrugë u bllokuan sepse në Gjykatën e Tiranës, gjykatësit e Kukësit do të jepnin vendimin për 23 të arrestuarit e Rrugës së Kombit.

Të gjitha rrugët afër Gjykatës së Tiranës u bllokuan. Kordone të gjata me policë u krijuan për të penguar çdolloj proteste. Gjyqi u zhvendos në Tiranë, sepse Policia e Kukësit nuk mund te garantonte procesin.

Të arrestuarit ishin dërguar në gjykatë para orës 7 të mëngjesit, ndërsa pak minuta para nisjes së gjyqit atje mbërritën edhe deputetët e opozitës. Ata tentuan të hyjnë në sallë, por aty ndodhi një përleshje me policinë.

Deputeti Edmond Spaho tha jashtë gjykatës se ai dhe kolegët e tij ishin dhunuar nga policia.

“I gjithë grupi i deputetëve donte të hynte në sallë. Forcat e policisë nuk na lejuan. Ushtruan dhunë! Kështu me dhunë dhe siç ka rrethuar gjysmën e Tiranës për të zhvilluar gjyqin, nuk do ta ketë kollaj”, deklaroi Spaho.

Më pas, gjyqtarja e Kukësit Alma Ahmeti vendosi të lejojë në sallë vetëm deputetët, duke refuzuar në mënyrë të çuditshme praninë e mediave.

Nën këtë regjim, për më shumë se 5 orë ka vijuar seanca. Prokurorët e Kukësit paraqitën kërkesën dhe pas një pushimi disaminutesh u dha vendimi.

Gjyqtarja e Kukësit dha vendimin, sipas të cilit 11 të arrestuar do të qëndrojnë në qeli, sërish në Tiranë dhe 10 do të ikin në shtëpi dhe do të paraqiten periodikisht para prokurorëve dhe dy do të qëndrojnë në arrest shtëpie, shkruan Top Channel.

Pas këtij vendimi kryetari i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, deklaroi se gjykata iu bind urdhërave politikë dhe se e vetmja zgjidhje tani është mosbindja civile.

“Gjykatësja dha vendimin që i ka kërkuar Edi Rama, i cili pasi ka kapur ekzekutivin, ekonominë, buxhetin e shqiptarëve, pasi kapi Prokurorinë, sot kapi edhe gjykatën. Kështu që, e vetmja zgjidhje është mosbindja civile”, tha deputeti demokrat.

10 të ndaluarit që fituan lirinë dolën shpejt nga qelitë.

“Nuk kishim asgjë kundër shtetit, kemi protestuar për të drejtat tona”, thanë ata.

Ky ishte vetëm fillimi, tani nis beteja e vërtetë ligjore. Pas një periudhe hetimi, të 23 protestuesit, si nga burgu, apo nga liria do të dalin para gjykatësve për vendimin përfundimtar.