Vendimi përfundimtar për Ramush Haradinajn në fund të prillit?

05.04.2017 18:38:43

Gjykata e Apelit në qytetin francez të Colmarit nesër do të mbaj seancën e re mbi kërkesën e Serbisë për ekstradimin e liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, por vendimi përfundimtar për ekstradimin ka të ngjarë të bëhet në fund të prillit, thonë burimet e afërta në gjykatë për agjencinë e lajmeve serbe Beta.

“Në seancën e nesërme do të shqyrtohet i gjithë dokumentacioni i ofruar nga autoritetet serbe, por gjatë ditës nuk presim vendim përfundimtar mbi ekstradimin. Ne presim që ky vendim do të bëhet në fund të prillit”, kanë thënë kto burime anonime, transmeton lajmi.net.

Të njëjtat burime thanë, se gjykatës do t’i duhet kohë e nevojshme për të marrë parasysh të gjitha elementet e përcaktuara në seancën e nesërme, pas së cilës ajo do të marr vendim përfundimtar, i cili mund të jetë në fund të prillit.

Haradinaj u arrestua më 4 janar në territorin e Francës, në bazë të urdhër-arrest kundër tij të lëshuar nga Serbia për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999.

Haradinaj para gjykatës në Colmar u shfaq më 1 dhe 9 shkurt dhe 2 mars.

Serbia pretendon se ka prova të reja që nuk ishin objekt i shqyrtimit në gjykatën e Hagës, e cila në viti 2012 e liroi Haradinajn nga të gjitha akuzat.