Veprimtari shqiptaro-amerikan: Diskutimet për ndryshim të kufijve janë të gabuara

20.12.2018 19:03:52

Analisti i politikës në Ballkan dhe veprimtari shqiptaro-amerikan, Nicholas Pano ka deklaruar se bisedimet për ndryshim të territoreve në këtë kohë nuk janë në interes të Kosovës dhe as Serbisë, pasi të dyja vendet kanë probleme të brendshme, derisa ka shtuar se politika amerikane është me pohime kontradiktore rreth kësaj çështje.

Profesor Pano ka thënë se nuk është koha e duhur për të diskutuar për ndryshim të territorit.Pano: Nuk është koha për ndryshim të territorit

“Kjo është një çështje shumë komplekse dhe sipas mendimit tim, do të jetë gabim të shkëmbehen territore midis Kosovës dhe Serbisë në këtë kohë tani të tensionuar me disa të probleme të brendshme në Kosovë dhe probleme të brendshme të Serbisë. Të mundohen të rregullojnë marrëdhëniet diplomatike, të normalozojnë marrëdhëniet ekonomike dhe pastaj të presin të shikojnë si do të jetë çështja dy apo tre vjet më pas. Por koha nuk është korrekt tani për ndryshim të territorit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se tani nuk është në interes as për Kosovën dhe as në interes të Serbisë, që të bisedohet për çështjen e territorit. Ndërsa, komentoi edhe qëndrimin e politikës amerikane për shkëmbim territoresh.

Pano: Politika amerikane me pohime kontradiktore

“Siç i shikoj gjërat, ata kanë patur pohime kontradiktore, ka njerëz brenda qeverisë që janë ashtu PRO, ose më shumë le ta bëjnë vendimin serbët dhe kosovarët Neve nuk kemi interes. Janë interesa tjera, janë zëra të tjerë në qeveri, në Kongresin që thonë JO! Tani nuk është koha. Dhe janë ca që kanë frikë, se meqenëse bëhet një ndryshim i territorit, pastaj hapen çështje të tjera territoriale. Ata thonë leri këto punë tani, ajo që është me rëndësi më të madhe në Ballkan është stabiliteti i rajonit”, ka thënë Pano.

Ai ka folur edhe për zhvillimet e deritashme në Kosovë, me të cilat është shprehur i zhgënjyer.

Pano: Jam pak i zhgënjyer me Kosovën

“Me të vërtetë jam pak i zhgënjyer. Problemet e Kosovës janë shumë. Ka probleme ekonomike, ka probleme politike, ka këto probleme te marrëdhënieve të jashtme. Kosova ka një sfidë te madhe. Ka bërë ca progres. Por unë jam ashtu, siç thash, pak i zhgënjyer dhe për këto çështjet e parlamentit, luftës së partive, brenda partive, midis partive. Një polarizim që është shtruar tani në Kosovë, këto më shqetësojnë……….. Do të jetë rrezik në qoftëse Kosova nuk atakon këto probleme që i ka, që i përmenda. Kosova duhet të rregullohet brenda, duhet të funksionojë si shtet responsible. Ajo është çështja e Kosovës. Me këto trazirat që janë brenda Kosovës, me këto sfidat që nuk janë përballuar. Këto e prishin punën e Kosovës, imazhin e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, shqiptarët në Ballkan duhet të bashkëpunojnë më afër në çështje ekonomike, çështje kulturore, edhe ca çështje politike. /