Veseli: Dorëheqja e Haradinajt ishte e pa konsultuar, por jo e papritur

29.07.2019 20:17:47

Partia Demokratike e Kosovës, mbajti Mbledhjen konstituive të Këshillit Drejtues, me ç’rast lideri i kësaj partie, Kadri Veseli, mbajti fjalim në të cilin vlerësoi këtë Këshill si organin më të lartë të partisë për 4 vitet e ardhme, pas një procesi shembull për demokracinë në Kosovë dhe partitë politike.

Kryetari Veseli theksoi se edhe për një situatë të re politike do të diskutohet në Këshillin Drejtues.

“Në këtë takim të parë të Këshillit Drejtues të partisë sonë, jemi mbledhur sot, edhe për përgjigje të një situate të re, e cila është krijuar në vendin tonë. Kryeministri ka dhënë dorëheqje. Dorëheqja e Kryeministrit ishte e pa konsultuar. Por, jo edhe e papritur! Vendim ad-hoc dhe befasues për të tjerët, por jo edhe i papritur dhe pa kalkulim partiak të paramenduar nga kryeministri tani i vetëlarguar”, theksoi Veseli.

Sipas njoftimit të PDK-së,  Veseli theksoi po ashtu se legjitimiteti qytetar vije nga zgjedhjet, është forma më legjitime e pushtetit për PDK-së.

“Tradicionalisht, PDK, ka dëshmuar në gjithë historinë e vet, se legjitimiteti qytetar çdo herë, i marrë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta është forma më legjitime dhe e arsyeshme e mbajtjes së pushtetit për ne si parti. Kështu kemi vepruar çdo herë, edhe kur ne kemi udhëhequr qeverinë edhe herën e kaluar me LDK-në kur u tentua të sulmohej rëndë PDK-ja për jo korrektësi politike. Kjo dorëheqje e paprovokuar nga PDK, tregon moralin tonë të vërtetë politik, të drejtë dhe parimor”, tha ai, prcjell Telegrafi.

Procesin e brendshëm zgjedhor, Veseli e vlerësoi lart.

“Zgjedhjet e brendshme, të cilat sapo i përfunduam, ishin një fitore e madhe për Partinë Demokratike të Kosovës dhe një shpresë e re për konsolidimin e demokracisë në Kosovë. Ne kemi ndërtuar një strukturë organizative të mahnitshme, anekënd Kosovës”, theksoi Veseli.

Ai ka potencuar se “me mijëra vajza e djem, të rinj e të moshuar, burra e gra, intelektualë e punëtorë, sipërmarrës, mjekë e arsimtarë, sot qëndrojnë të gatshëm për të shënuar fitoren e radhës të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet që po vijnë”.

Ndërsa rreth procesit zgjedhor, Veseli vuri në pah se Partia Demokratike e Kosovës është gati për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për t’i fituar ato.

“PDK do të jetë fituese e zgjedhjeve, jo thjesht për ta mbrojtur dhe garantuar qëndrueshmërinë e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, të cilën e kemi detyrë patriotike dhe kushtetuese. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet, për ta ndryshuar Kosovën”, theksoi ai.

“Ne nuk luftojmë të fitojmë vetëm një palë zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës lufton të fitojë Kosova, për të mos lejuar që të tjerët ta dështojnë Kosovën”, theksoi lideri i PDK-së, Kadri Veseli.