Veseli e Bulliqi tregojnë çka presin nga debati i nesërm për Demarkacionin

02.08.2016 19:50:36

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha pas mbledhjes se Kryesisë se debati i nesërm për Demarkacionin do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ofrojë transparencë të plotë për të ndihmuar deputetët që të kenë informacione te mjaftueshme profesionale dhe shkencore për shënjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit te Zi.

Pas takimit konsultativ në Kryesinë e Kuvendit, për debatin e nesërm për demarkacionin me Malin e Zi, ka folur edhe deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se synimi i këtij debati është të ketë informacione të mjaftueshme rreth këtij procesi dhe të vihet deri në përfundim të kësaj çështje.

Bulliqi, i cili është njëri nga iniciuesit e debatit për demarkaconin, tha se në takim ishin ftuar edhe deputetë që kanë qenë pjesë e këtij debati.

Bulliqi më shumë u ndal te agjenda që është paraparë në këtë debat, duke treguar se do të fillojë në ora 10:00, ku Komisioni Shtetëror për demarkacion edhe grupi i ekspertëve do t’i ballafaqojnë faktet.

“Fjalët hyrëse do t’i mbajnë Presidenti, kryeministri dhe ambasadori amerikan, Delawie. Në fund do të jepet mundësia pjesëmarrësve tjerë në këtë debat, deputetët me pyetje t’iu drejtohen komisionit shtetëror, por edhe ekspertëve. Koha do të jetë e barabartë për të dyja palët, por ne presim rezultate pozitive në marrjen e vendimeve. Në fund të këtij debati, komisioni shtetëror dhe grupi i ekspertëve do të shkojnë me konkluzione”, tha ai, transmeton KP.

Bulliqi shtoi se esenca e thirrjes së këtij debati ka pas synim që të ketë informacione të mjaftueshme rreth këtij procesi dhe të vihet deri në përfundim të kësaj çështje.