Veseli e Haradinaj: Formimi i ushtrisë do të jetë një nder vendimet e para të koalicionit

20.05.2017 16:27:35
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i nominuar për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, gjatë një tubimi me qytetarë që kanë zhvilluar në Rahovec, kanë folur edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

 

Në këtë takim Veseli ka thënë se një ndër vendimet e para që do të marrin si koalicion do të jetë ai për formimin e ushtrisë, shkruan lajmi.net.

“Ne jemi koalicion i fitores dhe vendimmarrjes dhe ndër vendimet e para që do të marrim bashkë me kolegët tanë është formimi i ushtrisë së Kosovës dhe integrimi në strukturat euro atlantike”, ka thënë Veseli.

Ndërsa Haradinaj ka thënë se nuk duhet lejuar që vendi të mbetet peng nga të tjerët për vendime të mëdha siç është formimi i ushtrisë. Ai po ashtu ka folur edhe për Demarkacionin me Malin e Zi, ku është shprehur se nuk mund t’i falet toka askujt

“ Deri kur ne duhet me lejuar që vendi ynë me mbet peng, ushtria për shembull e paformuar. Ju e dini se si kemi ardhur deri te kjo Kosovë dhe s’mundemi me falë tokë të këtij vendi. Nuk mundemi ne të vazhdojmë në Kosovë të tolerojmë kushdo qofshin ata”, ka thënë Haradinaj.

PDK, AAK e Nisma do të garojnë së bashku në zgjedhjet e 11 qershorit.