Veseli e Haradinaj të bindur se Qeveria do të bëjë punë të mira. Emrat e ministrave, nesër

07.09.2017 17:08:56

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se është lajm i mirë që është konstituuar Kuvendi sot.

Veseli ka thënë se seanca për zgjedhjen e Qeverisë së re do të mbahet të shtunën.

“E mira është se që nga sot Kosova nuk ka bllokadë institucionale… Ne nuk kemi kohë për të humbur, sot si kryetar i koalicionit PAN kam proceduar te presidenti emrin e mandatarit për formimin Qeverisë”, është shprehur Veseli, transmeton lajmi.net

Ai ka thënë se Ramush Haradinaj është një njeri i dëshmuar në procese të rëndësishme për Kosovën dhe se Qeveria e re do të kryej punë të mira për vendin.

Edhe mandatari për formimin e Qeverisë së re, Ramush Haradinaj ka thënë se është lajm i mirë konstituimi i Kuvendit, ndërsa ka thënë se të shtunën mbetet të zgjidhet edhe Qeveria e re.

“Ajo që na mundon shumë është gjendja në vend, të gjitha ato tema që e preokupojnë qytetarin tonë. Qëllimi ynë është që ata që e mendojnë që zgjidhja është në rrugët e botës, ta kuptojnë se zgjidhja është këtu… Detyra jonë e të gjithëve është që me punë të gjallërohet ky vend dhe të kthehet shpresa”, ka deklaruar Haradinaj.

Haradinaj bëri të ditur se nesër do të bëhen të ditur emrat e ministrave të rinj, ndërsa tha se është duke u punuar edhe në përgatitjen e programit qeverisës.