Veseli ia prezanton shoqërisë civile nismën për komision hetimor për listat e veteranëve

14.06.2019 11:03:27

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, ku para tyre  ka prezantuar nismën për të ngritur një Komision Hetimor për listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veseli ka theksuar se shoqëria civile është një nga shtyllat e rëndësishme të shtetit për ndërtimin e një demokracie të mirëfilltë dhe që së bashku duhet të punojnë, për të ruajtur nderin e ushtarëve të lirisë dhe shtetin e Kosovës.

I pari i PDK-së ditë më parë ka thënë se do të iniciojë komision hetimor parlamentar i cili do të hetojë e pastrojë listat e veteranëve të UÇK-së, në mënyrë që ndalet fryrja e listave nga komandantë e veteranë mashtrues.

“Komisioni Hetimor Parlamentar, me punën e tij, duhet të sigurojë që listat e veteranëve të jenë të pastruara nga mashtruesit, në mënyrë që luftëtarët e UÇK-së që kanë nevojë të përkrahen edhe më shumë dhe më denjësisht nga shteti i tyre, për të cilin ata luftuan dhe ishin të gatshëm të vetë sakrifikoheshin. Raporti final i këtij Komisioni do të bëhet publik, i bazuar në ligj, do të jetë në dispozicion të publikut dhe institucioneve të drejtësisë – për t’i ndjekur penalisht mashtruesit”, kishte thënë Veseli në një konferencë për media.