Veseli: Koalicioni PAN më 3 gusht i formon institucionet

26.07.2017 19:31:16

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli thotë se më 3 gusht do t’i zgjedhin institucionet e vendit, duke thënë se koalicioni PAN do ta bëjë qeverinë dhe do ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit.
Kreu i PDK-së ka thënë se nuk do të ketë asnjë zvarritje në formimin e institucioneve dhe se tashmë kanë kryer të gjitha përgatitjet që pas datës 3 shkurt Kosova të bëhet me institucione të reja.

“Të gjitha përgatitjet janë duke u bërë në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe rregullores së Kuvendit dhe më datën 3 gusht do të kemi formimin e institucioneve të Kosovës, përkatësisht konstituimin e Kuvendit, kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës dhe kryeministrin e ri të Kosovës, gjegjësisht Ramush Haradinajn”, tha Veseli për Kosovapress.

Veseli duke iu përgjigjur LDK-së dhe Vetëvendosjes së nuk hyjnë në një koalicion ku është PDK-ja dhe afrimit të tyre mes vete, tha se është mirë që janë ofruar mes vete Vetëvendosje dhe LDK, pasi sipas tij, për tri vite këto dy parti kanë bllokuar Kosovën, njëra duke mos marrë asnjë vendim dhe tjetra duke dëshmuar secilën ditë se është e gatshme të ndërrojë qëndrime vetëm për të ardhur në pushtet.

“Mirë është që kanë bërë koalicion Vetëvendosje dhe LDK, për arsye se janë dy parti që për tri vite e kanë bllokuar Kosovën, njëra pa asnjë vendimmarrje duke pasur edhe mandatin e Qeverisë dhe tjetra e cila po dëshmon secilën ditë se për pushtet është e gatshme për të ndërruar çdo qëndrim dhe të bëjë çdo gjë vetëm që të arrijë në majën e pushtetit. Ajo çfarë është kryesore me datën 3 gusht do të kemi formimin e koalicionit, do të kemi konstatimin e Kuvendit dhe në të njëjtën kohë do të vazhdojmë në zgjedhjen e Qeverisë, e cila do të jetë me mandat katër vjeçar. Ajo çfarë i duhet Kosovës nuk është bllokada, nuk është gjuha e urrejtjes, nuk është mentaliteti që të shihet vetëm zi, por i duhet me shumë Kosovës një lidership që është vendimmarrës, dhe arrin t’i sjell Kosovës me shumë vendimmarrje dhe të hap nga proceset të cilat e ka futur pikërisht qeverisja e kaluar e udhëhequr nga njëra nga këto partitë, të cilat tash që fatmirësisht do të jenë katër vite në koalicion, Kosovën në një izolim total ndërkombëtar”, theksoi ai.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli tha se partia që drejton është rrugës drejt reformave dhe ka një reflektim serioz në parti, derisa ju ka përgjigjur akuzave të rivalëve politik për akuzat që i kanë bërë PDK-së për keqqeverisje.

Por, sipas numrit një të PDK-së, nuk mund ta akuzojnë partinë shtetformuese ato parti që nuk kanë bërë asgjë për vendin që nga themelimi i tyre.

“Sa i përket akuzave, askush, aq me pak ata që kurrë në jetën e tyre nuk kanë bërë diçka për atdheun e vet, për popullin e vet, nuk mund ta akuzojë një parti e cila që nga fillimet e veta, nga parahistoria me themelimin e vet, në rritjen e vet ka transformuar këtë vend. Keni parasysh kush po na akuzon, njerëz që nuk kanë bërë asgjë për vendin e vet, asnjë orë punë se kanë bërë në emër të lirisë se atdheut të vet. Ftoj gjithë anëtarësinë e PDK-së sa më qetë, këto janë furtuna të njerëzve manipulues, të cilët kanë për qëllim ta qojnë Kosovën drejt një rrugëtimi i cili është konfliktuoz. Ne nuk do t’iu nënshtrohemi kësaj gjuhe, ne nuk do ta përdorim këtë gjuhë, por në të njëjtën kohë do të tregojmë çdo ditë se sa të pavlerë dhe sa të paqenë janë njerëzit që mund të përdorin një gjuhë të tillë që e qojnë Kosovën në drejtimin, i cili është kundër vet perspektives perëndimore të shtetit të Kosovës. Kjo do të ishte përgjigjja ime ndaj atyre llafatorëve dhe defatorëve të cilat mundohen që partinë e shtetit të Kosovës, çlirimit, zhvillimit të Kosovës ta frenojnë përmes akuzave që janë boshe, shterpe të cilave ne nuk iu nënshtrohemi”, u shpreh kreu i PDK-së.

Sipas Veselit, Kosovës i duhet një reflektim dhe në të njëjtën kohë një ecje përpara në rrugëtimin e vet euroatlantik, agjendë e cila është e qartë qeverisëse dhe vendimmarrëse, e cila është e guximshme, por jo assesi gjuha e urrejtjes, revanshit, e cila ka vetëm një konsum si të vihet në pushtet.