Veseli mysafir në odën e Haxhi Demakut

08.04.2018 13:16:55

Kadri Veseli, krahas obligimeve në Kuvend dhe në parti, gjen kohë edhe për viziat në familjet e ish-bashkëluftëtarëve.

Veseli të shtunën ishte mysafir në odën e Haxhi Demakut në Abri të Drenicës, djali i të cilit Xhevati, ra dëshmor në luftën për liri, më 7 prill 1999.

Postimi i Veselit në Facebook:

“Mbrëmë isha për vizitë në familjen Demaku në Abri, në përvjetorin e rënies së heroit të UÇK-së, Xhevat Demaku. Me bacën Haxhi, ndamë së bashku kujtimet për ditët e rënda të pranverës së vitit 1999, kur e gjithë Kosova mes jetës e vdekjes po luftonte për liri. Ato ditë, të gjithë djemtë e bacës Haxhi ishin në frontet e betejave.

Në luftimet e 7 prillit do të bie dëshmor Xhevat Demaku, bashkë me Bedri Demakun dhe Imer Shalën. Dhimbja ishte e madhe për bacën Haxhi e nënën Qamile, por edhe më e madhe forca shpirtërore për t’u dhënë vullnet djemëve të tjerë e shokëve të tyre për të vazhduar luftën e lavdishme të UÇK-së deri në çlirim. Falë kësaj force shpirtërore ne ja dolëm”, ka shkruar Veseli. /Telegrafi/