Veseli për vendimin e MCC-së: Kosova s’është dashur të ketë dilema rreth aleancës me SHBA-të

06.06.2020 20:06:31

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e ka mirëpritur vendimin e MCC-së për zhbllokimin e fondeve për Kosovën.

Me anë të një postimi në Facebook, Veseli ka thënë se vendimi në fjalë është lajm shumë i mirë dhe i mirëpritur për Kosovën.

Sipas Veselit, Kosova nuk është dashur asnjëherë të ketë dilema rreth aleancës me SHBA-të.

“Por falë sjelljes së rrezikshme të ish Qeverisë Kurti që cënoi këto raporte të shenjta me Amerikën, Kosova dhe populli i saj përjetoi një nga përvojat më të këqija në këto njëzet vitet e lirisë dhe pavarësisë tone”, ka shkruar Veseli.

Postimi i plotë:

Zhbllokimi i fondeve milionëshe të MCC-së për Kosovën, është lajm i mirë dhe i shumëpritur. Kosova asnjëherë nuk është dashur që të ketë dilema rreth aleancës dhe bashkëpunimit me SHBA-të.

Por falë sjelljes së rrezikshme të ish Qeverisë Kurti që cënoi këto raporte të shenjta me Amerikën, Kosova dhe populli i saj përjetoi një nga përvojat më të këqija në këto njëzet vitet e lirisë dhe pavarësisë tonë.

Edhe kjo Qeveri e status quos, duhet të kujdeset dhe ta ketë prioritet kyç në politikën e jashtme, koordinimin me SHBA-të, sidomos për çështjet jetike të së ardhmes së vendit.