Veseli takon ambasadorin Walker

16.01.2017 11:04:54

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ish-ambasadorin William Walker, i cili luajti rol vendimtar në prezantimin para botës të krimeve të kryera në Kosovë gjatë luftës nga regjimi i Milosheviqit.

Dëshmitë e tij për Masakrën e Reçakut ndikuan fuqishëm në opinionin dhe diplomacinë ndërkombëtare.

Gjatë takimit të përzemërt Veseli dhe Walker diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë, për problemet dhe sfidat nëpër të cilat është duke kaluar shteti dhe shoqëria kosovare.

Një ditë më herët gjatë akademisë përkujtimore që u mbajt në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, Veseli tha se “Në Reçak e vërteta e Kosovës triumfoj mbi mashtrimin njëshekullor të Serbisë, mbi propagandën dhe luftën e saj speciale kundër shqiptarëve. Shumë janë ata që kanë merita për këtë moment historik, por më meritori prej tyre është miku i madh i vendit tonë, z. William Walker. Ambasadori Walker është hero i gjallë i të vërtetës për Reçakun dhe Kosovën”.