Veseli thërret për monitorim të zgjedhjeve në Drenas

17.12.2016 13:04:44

Një ditë para raundit të dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli bëri thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike si dhe ftoi ambasadorët dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare e të shoqërisë civile për monitorimin e këtyre zgjedhjeve.

Ai ka thënë se pavarësisht se s’ka pasur probleme në raundin e parë pjesëmarrja e ndërkombëtareve e bën procesin edhe më transparent, transmeton Telegrafi.

Deklarata e plotë e Veselit:

“Të nderuar ambasadorë rezident në Republikën e Kosovës, të nderuar përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile,

Siç jeni në dijeni, më 18 Dhjetor do të mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Drenasit. Edhe pse deri tani nuk ka pasur ndonjë shqetësim apo incident sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këtë komunë, kam dëshirë që përsëri t’ju ftoj që të monitoroni këtë proces të rëndësishëm nga afër.

Zgjedhjet e lira janë baza e çdo demokracie liberale dhe gjithë ne jemi të obliguar që ta ruajmë atë. Partia Demokratike e Kosovës është e përkushtuar që përpos mbarëvajtjes së zgjedhjeve, të siguroj që ato të jenë të lira, pa ndërhyrje dhe transparente.

E mirëpresim prezencën tuaj në Drenas më 18 Dhjetor 2016″, thuhet në deklaratë.