Veseli thërret për nesër Kryesinë e Kuvendit për procedim të demarkacionit

20.02.2018 18:44:40

Menjëherë pas marrjes së Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar mbledhjen e Kryesisë për të mërkurën, ku pritet të caktohet koha e mbajtjes së seancës së Kuvendit për këtë çështje.

Kryeparlamentari Veseli, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Projektligji për demarkacionin i është përcjellur menjëherë pas procedimit nga Qeveria në Kuvend dhe se për nesër (e mërkurë) në orën 16:00 ka caktuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, njofton Telegrafi.

Veseli ka ftuar deputetët që të mendojnë për interesin e qytetarëve dhe ta përkrahin Marrëveshjen për demarkacionin, e cila forcon sovranitetin e vendit dhe i hap rrugë liberalizimit të vizave.

“Kuvendi i Kosovës ka pranuar nga Qeveria e Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. Kam ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për nesër në orën 16:00, për të proceduar më tutje me këtë çështje. Ftoj të gjithë deputetët që të mendojnë për interesin e qytetarëve dhe ta përkrahin këtë Marrëveshje, e cila forcon sovranitetin e vendit dhe i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.