Veseli: Votimi i Rezolutës, konfirmon vendosmërinë e Kosovës për dialogun

15.12.2018 22:06:56

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka reaguar pas miratimit të rezolutës së propozuar nga PSD-ja, lidhur me fazën finale të dialogut me Serbinë.
Veseli ka thënë se sot Kuvendi ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm për shtetin tonë dhe partneritetin me miqtë perëndimorë.

Ai ka shtuar se vendimi i sotëm i delegacionit shtetëror për dialog rikonfirmon vendosmërinë tonë se Kosova shkon në këtë proces me qëndrim unifikues.

Postimi i plotë i Veselit:

Pas vendimit historik për formimin e Ushtrisë së Kosovës, sot Kuvendi i Kosovës mori një vendim shumë të rëndësishëm për shtetin tonë dhe për partneritetin me miqtë tanë perëndimorë. Votimi i sotëm i delegacionit shtetëror për dialog rikonfirmon vendosmërinë tonë se Kosova shkon në këtë proces me qëndrim të qartë dhe unifikues që garanton integritetin territorial, njohjen e pavarësisë nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB.