Vetëvendosje bëri shkelje me dërgimin e SMS-ve, mund të dënohet së paku 10 mijë euro

17.11.2017 17:28:52

Lëvizja Vetëvendosje e ka shfrytëzuar një formë joligjore për t’i ftuar simpatizantët në tubimin përmbyllës që sonte mbahet në Prishtinë.

Kjo parti po dërgon SMS-a si ftesë për tubimin që mbahet sonte në orën 19 e 30 në sallën 1Tetori.

Dërgimi i SMS-ve në numra personal është shkelje e të dhënave personale dhe kjo sanksionohet me ligj. Më herët njëjtë kanë vepruar edhe VV-ja edhe partitë tjera, por janë dënuar për këtë veprim, shkruan lajmi.net.

Dërgimi i SMS-ve gjatë fushatës zgjedhore gjobitet 10 mijë euro

Dërgimi i SMS-ve në fushata zgjedhore, nga deputetët, bizneset, universitetet private, por edhe firmat tjera, do të sanksionohen me dënime nga 200 deri në 10 mijë euro, për shkelje të të dhënave personale të qytetarëve.

Tanimë për këto, në Gjykata janë 16 raste të cilat do të gjykohen për shkak se kanë bërë marketing të palejuar.

Këtë e kishte bërë të ditur ish Drejtori i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ruzhdi Jashari, pas raportimit në Komisionin parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, për punën një vjeçare, ku edhe ka paraqitur raportin e punës.

Jashari pati thënë se është sfidë në vete çështja e marketingut të palejuar, siç është dërgimi i SMS-ve, qoftë nga bizneset, qoftë nga institucionet publike dhe jo publike, por gjithashtu edhe nga deputetët të cilët e kanë përdorur këtë metodë në zgjedhjet e kaluara.

“Këto çështje të dërgimit të SMS-ve kanë të bëjnë me marketing të palejuar ose marketingut agresiv. Aspektet e gjobave janë të rregulluara me ligj dhe kapin shumë prej 200 deri në 10 mijë euro”, ka thënë Jashari.