Vetëvendosje dhe presidenti Rugova. Koha që VV të shkëputet nga mohimi i rolit të presidentit Rugova dhe LDK-së

21.06.2017 18:48:05

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë kur po bëhet fjalë për një koalicion të mundshëm ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, është shtruar çështja e rishikimit të qëndrimeve që VV ka pasur dhe vazhdon të ketë ndaj figurës së presidentit Rugova dhe ndaj kotributit të tij dhe të LDK-së për shtetin e Kosovës. Kjo është shtruar për faktin se VV është e vetmja forcë politike që ende nuk njeh rolin e presidentit Rugova dhe të LDK në procesin e shtetndrtimit të Kosovës, dhe LDK kërkon ndryshimin e kësaj qasjeje nga ana e VV-së. Kjo kërkesë shumë legjitime dhe e drejtë, pasi që dy forca politike nuk mund të kenë qeverisje të duhur nëse nuk i zgjidhin të gjtha dilemat dhe pengesat që kanë ndërmjet vete. Dhe kur bëhet fjalë për VV-në, duhet thënë se kjo mund të jetë në vështirësi, jo për shkak se u qëndron parimeve, pasi që ajo kurrënjëherë nuk u ka qndruar atyre, por për faktin se VV është një konglomerat i përbërë nga strukura dhe ideologji të ndryshme që kanë vështirësi ta koncpetojnë rolin e presidentit Rugova dhe të LDK-së në procesin e lirisë, pavarësisë e demokracisë. Në fakt VV, është shfaqur si një formë ekstreme e kundërshtimit të LDK-së dhe të presidentit Rugova, më ekstreme sesa që e kanë PDK, AAK, Nisma, sepse ka ndjekur forma radikale të kundërshtimit, e që gjatë viteve 2015-2016 u sfaq në format më të egra ndaj një qeverisjeje të LDK-së. Kur është fjala te qasja ndaj rolit të presidentit Rugova dhe të LDK-së në procesin liri, pavarësi, demokraci, edhe partitë tjera kanë vazhduar ta ruajnë qasjen negativiste, por e kanë modifikuar për hir të pushtetit. Fakti se nuk u kapërdi drejtimi i Qeverisë nga ana e LDK-së dhe nga ana e kryeministrit Mustafa, tregon se ato vazhdojnë ta kenë një qasje negativiste, për të mos thënë armiqësore ndaj LDK-së dhe presidentit Rugova. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për VV-në, çështja është edhe më e ndërlikuar pasi që ajo në shumë çështje ka kopjuar filozofinë politike të presidentit Rugova, kurse në disa të tjera është diametralisht e kundërta: VV ka marr nga presidenti Rugova formulën “Jo negociata – Vetëvendosje”; pastaj nga presidenti Rugova kanë marr edhe favorizmin e prodhimeve vendore, e jo të Serbisë. Në anën tjetër ka kthyer me kokë poshtë koncpetin e bashkimit kombëtar që ka pasur presidenti Rugova: derisa presidenti Rugova bashkimin kombëtar e shihte si fazë të fundit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë kur edhe shtetet e dala nga ajo do të ndryshonin kufijtë e tyre, por që do të pasonin procesin e jo ta fillonin, VV ka pikërsisht të kundrtën, pasi që synonte të fillonte procesin në Kosovë ose në Maqedoni. Presidenti Rugova, si çështjen e pavarësisë që e shihte si çështje që pasonte pavarësinë e të tjerëve, edhe çështjen e bashkimit kombëtar e shihte po kështu. Në anën tjetër, derisa presidenti Rugova kishte një filozofi politike bazuar në nacionaldemokracinë dhe konceptet e qendrës së djathtë, VV dominonte me idologji të tipit marksist-leninist; derisa presidenti Rugova dhe LDK e shihnin Kosovën në kontekstin gjeopolitik dhe gjeostrategjik euro-atlantik, VV më shumë se njëherë ka deklaruar qasjen e saj kundëramerikane dhe kundërperëndimore; derisa presidenti Rugova dhe LDK kishin bërë institucionalizimin e veprimtarisë politike, VV është bazuar mbi koncepte anarkiste. Pra bashkëqeverisja ndërmjet LDK-së dhe VV-së ka gjithë këto ndërmjet, edhe pse pas zgjedhjeve ka ndryshuar, së paku deklarativisht qëndrimet ndaj institucioneve, ndaj raporteve me aleatët gjeopolitikë dhe gjeostragjikë, megjithatë ende nuk ka ndryshuar qasjen ndaj presidentit Rugova dhe kuntirbutit të tij dhe të LDK-së në procesin liri, pavarësi, demokraci. Prandaj, është koha që VV të reflektojë dhe të ndryshojë për veten e saj edhe qasjen ndaj presidetit Rugova dhe kontributit të tij dhe të LDK-së. Kjo nuk përcakton cilësinë e qeverisjes, por është bazë për të krijuar mirëbesim dhe për të pasur një partneritet qeverisës më të relaksuar dhe më të dobishëm për vendin.