Vetëvendosje ia sheh sherrin Zafir Berishës, dënohet 12 mijë e 300 euro

23.11.2017 17:17:14

Për shkak të thirrjeve të Zafir Berishës që të votohet Mytaher Haskuka, Vetëvendosja është dënuar 12 mijë e 300 euro nga PZAP-i.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e dënoi Lëvizjen Vetëvendosje me 12 mijë e 300 euro për shkak të thirrjeve që në Facebook i bëri deputeti i Nismës Zafir Berisha në mbështetje të kandidatit për kryetar të Prizrenit Mytaher Haskuka.

BIRN dhe Internews Kosova kishin paraqitur tri ankesa në PZAP me pretendimin se Zafir Berisha theu heshtjen zgjedhore nëpërmjet Facebook-ut.

Në njërën nga këto thirrje Berisha ftoi qytetarët të votojnë për ta “çliruar Prizrenin nga hajdutët”, duke votuar Mytaher Haskukën.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, PZAP, i ka gjetur të bazuara ankesat e parashtruara nga BIRN dhe Internews Kosova, për thyerje të heshtjes zgjedhore nga ana e kryetarit të NISMA-s në Prizren, Zafir Berisha.

Lëvizja Vetëvendosje në arsyetimin para PZAP-it tha se publikimi i fotos nga ana e Zafir Berishës ku përkrahet Mytaher Haskuka, ka qenë i paautorizuar nga LVV-ja.

“LVV konsideron se marrëveshjet politike ndërmjet subjekteve politike konkretisht ndërmjet LVV dhe NISMA nuk ka asnjë efekt juridik mbi bazën e së cilës do të mund t’i shqiptohet gjobë subjektit politik LVV, për shkak të publikimit të një foto me një shkrim të caktuar nga anëtari i subjektit Politik NISMA pa autorizimin e subjektit politik LVV”, tha Vetëvendosja, sipas PZAP-it.

Vetëvendosja është dënuar edhe me 2 mijë e 500 euro të tjera, pasi Selim Pacolli nga AKR-ja në ditën e zgjedhjeve, sipas një ankese të BIRN dhe Internews Kosova, bëri thirrje në Facebook që të votohet numri 10 i LVV-së.

Një dënim tjetër prej 1 mijë e 500 eurove PZAP-i ia shqiptoi Vetëvendosjes edhe pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova në lidhje me një postim në Facebook të Drita Millakut, kandidates për asamble në këtë komunë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Millaku e kishte publikuar një fotografi me kandidatin e LVV-së për kryetar të Prizrenit Mytaher haskuka me përshkrimin “buzëqeshja vazhdon edhe për 4 vitet e ardhshme”.

Edhe në rundin e parët ë zgjedhjeve subjektet politike u dënuan nga PZAP-i pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova për thyerje të heshtjes zgjedhore.

Për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, BIRN dhe Internews Kosova kanë dorëzuar 112 ankesa në PZAP prej të cilave partitë politike janë dënuar me 100 mijë euro.