Vetëvendosje mashtroi me mospjesëmarrjen në zgjedhjet e Drenasit, PDK-ja ia mori 13 nëndegë

19.11.2016 16:59:37

Për mospjesëmarrjen në zgjedhjet e tashme për kryetar të Drenasit, Lëvizja Vetëvendosje ishte arsyetuar duke thënë se ata nuk duan të përfitojnë politikisht nga një dënim i padrejtë gjyqësor, si ai i rastit “Drenica 2” dhe për këtë nuk do të nxjerrin kandidat të tyre.

Ndaj Vetëvendosjes kishte reaguar PDK-ja, e cila kishte treguar se kjo lëvizje politike do shuhet në Drenas dhe kjo është arsyeja pse nuk po marrin pjesë në zgjedhje. PDK-ja kishte thënë se ai qëndrim ishte vetëm pretekst pa sens nga ana e Vetëvendosjes, sepse e vërteta është krejt tjetër.

Sot në PDK-në e Drenasit aderuan 13 nëndegë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe qindra anëtarë të saj.

Në llogarinë e tij në Facebook, kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shkruar se PDK-ja garanton normalitet dhe punon për një shoqëri të qëndrueshme, duke ironizuar indirekt se ajo është subjekt politik gjithë qytetarë.

“Partisë Demokratike të Kosovës iu bashkuan edhe strukturat e Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas. Ne jemi subjekt politik gjithë qytetarë dhe shembull i respektimit të mendimeve ndryshe. Me PDK-në të gjithë mund të ndjehen kontributdhënës konkret për zhvillimin e Kosovës. Ne garantojmë normalitet dhe punojmë për një shoqëri të qëndrueshme. Përkrahja për PDK-në është përkrahje për forcimin e shtetit tonë”, ka shkruar Lladrovci.

Kohë më parë, në PDK kishte aderuar edhe Fraksion +, një subjekt tjetër i shkëputur prej Vetëvendosjes.

Pas këtij aderimi kishte reaguar vetë sekretari i Vetëvendosjes, por kundër aderimit të sotëm të strukturave të saj në Drenas, duket sikur alternativë më të mirë e kanë heshtjen.

Ata janë mjaftuar me reagimin e një zyrtar të vogël, tërësisht të parëndësishëm të Vetëvendosjes dhe atë ndaj deklaratave të ish-kolegut të tij, derisa lidershipi i saj po heshtin.