Vetëvendosje: Ngushëllime familjeve të viktimave në Mynih

23.07.2016 12:49:05

Lëvizja Vetëvendosje i ka shprehu ngushëllime familjeve të viktimave siç thonë ata të aktit të dhunshëm e kriminal që ndodhi në Mynih.

Kjo është komunikata e plotë e tyre:

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe aktivistët e saj dëshirojnë t’i shprehin ngushëllime familjarëve të viktimave të aktit të dhunshëm e kriminal që ndodhi dje në Mynih. Mes atyre që humbën jetën ishin edhe tre me origjinë shqiptare, e kjo e materializon dhimbjen tonë në një mënyrë edhe më tragjike.

I bashkohemi shpresës mbarënjerëzore që ky lloj i dhunës që po e shoqëron njerëzimin në dy dekadat e fundit, të ndalet.

Pasiguria e frika që janë synim i terrorit, mposhten vetëm përmes një solidariteti të hapur, jopërjashtues, që nuk i diskriminon njerëzit mbi baza origjine e identiteti, e që nuk është indiferent ndaj problemeve të vogla a të mëdha të njeriut, të cilin ideologji të caktuara e kanë lënë të vetmuar.

Pra as braktisje me indiferencë në vetmi, as grumbullim identitar përjashtues. Zgjidhjen ne e shohim tek shtrirja e dorës së solidaritetit, dialogimit, bashkëpunimit, dhe pranimit të njerëzimit si një e tërë mozaikale që nuk qëndron nëse ia heq qoftë edhe njërën pjesë.