Vetëvendosje nis mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin “Duam Zgjedhje”

02.06.2020 10:41:43

Lëvizja Vetëvendosje ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin “Duam Zgjedhje”.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti ka thënë para medieve se nënshkrimet do të dorëzohen në institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare pas një muaji.

“Mbledhja e nënshkrime potencialisht është paraparë që të zgjasë për 30 ditë, pra një muaj, ndërkaq pas një muaji do të dalim me numrin e nënshkrimeve të mbledhura. Peticioni do të dorëzohet natyrisht institucioneve vendore, ndërkaq do tu dorëzohet edhe institucioneve ndërkombëtare”, ka thënë Ahmeti.

Deri më tani ai tha se mbi 40 mijë nënshkrime janë mbledhur në peticionin online.

“Mbi 40 mijë janë nënshkruar online dje gjatë ditës, më nuk e kam informacionin deri më tani”, tha Ahmeti.

Sa i përket manipulimeve që mund të bëhen gjatë nënshkrimit të peticionit online, Ahmeti tha se as herave të kaluara kur kanë bërë peticione, askush nuk e ka kontestuar vërtetësinë e tyre, pasi sipas tij ata do të kontrollojnë peticionin.

“Edhe në të kaluarën kur kemi pasur peticione na kanë thënë se ato mund të keqpërdoren peticionet online. Por, kur i kemi dorëzuar askush nuk e ka kontestuar vërtetësinë e tyre. Vetëvendosja është organizatë serioze e cila e kontrollon secilin nënshkrim dhe secilin peticion. Nëse dikush e ka nënshkruar online dhe vjen e nënshkruan këtu, njëri nga të dhënat, dhe njëri nga nënshkrimet do t’i hiqen nga peticioni”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se kërkesa për zgjedhje nuk është vetëm e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, apo votuesve të kësaj partie.

“Përveç që peticioni mendojë që është presion dhe mënyrë për të shprehur pakënaqësinë dhe kërkesës për zgjedhje, njëkohësisht është mënyrë për të treguar masivitetin popullor për kërkesën për zgjedhje”, tha ai.