Vetëvendosje nuk po gjen aleatë, e vetme në protestën e 29 shtatorit

22.09.2018 12:13:27

Lëvizja Vetëvendosje duket se nuk po gjen mbështetje tek partitë e tjera opozitare për protestën e 29 shtatorit, përmes së cilës do të kundërshtojë veprimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi.

Përderisa me një qëndrim më ndryshe pritej të dilte Lidhja Demokratike e Kosovës, doli se  kjo e fundit nuk do ta mbështes protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila do të mbahet në fund të këtij muaji.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka deklaruar se në rast se mbetet zgjidhja tek protesta, do të jetë LDK-ja ajo që do të organizojë demonstrime të tilla paqësore.

“Nëse vjen puna që duhet përmes protestave të tregojmë vullnetin tonë, ne do të marrim vet përsipër këtë aktivitet dhe do të ftojmë qytetarët e Republikës të Kosovës që të na bashkohen në këtë  demonstrim paqësor”, tha Hoti.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu ka thënë se partitë opozitare po garojnë mes vete për tifozeri.

Madje ai ka porositur partitë politike që politikën ta kuptojnë përtej mirëmbajtjes së tifozerisë dhe pretendimeve elektorale që mund t’i ketë.

“Unë mendoj se duhet të kalojmë të bërit politikë në mënyrë të tifozëve. Unë jam me këtë ekip dhe unë veç me këtë bëj tifo pa marrë parasysh se çfarë ndodhë. Është tepër me rëndësi që njerëzit dhe partitë politike, politikën ta kuptojnë përtej mirëmbajtjes së tifozërisë dhe pretendimeve elektorale që mund t’i ketë… Ne si PSD vlerësojmë se nëse jemi së bashku në një platformë çfarë e kemi propozuar ne, atëherë ne imponojmë marrëveshjen dhe ajo nuk na vije e imponuar. Ne mendojmë se një Republikë si kjo e jona meriton që të kemi një orvatje serioze nga politikanët të cilët e konsiderojnë vendin pak më lart se interesi partiak e fatkeqësisht edhe kjo mirëmbajtje e tifozerisë”, tha Sejdiu.

Kurse për këtë ka folur edhe vet presidenti Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se nuk është në interes të askujt që të protestojë kundër bashkëngjitjes së Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Nuk mendoj se është në interes të askujt që të protestohet kundër bashkëngjitjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, veçanti prej atyre që flasin për të drejtat e  shqiptarëve. Unë mendoj që duhet të punojmë të gjithë bashkë për bashkëngjitjen e kësaj treve me Kosovën, e jo të protestohet kundër Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, ka thënë Thaçi të premten.

Të njëjtin mendim me presidentin Thaçi, ka ndarë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Madje ai pati edhe një pyetje.

“Protesta dhe energjia të cilën e kemi ndaj individit, për besë nuk i bënë hajr Kosovës. Nuk duhet të merremi me individin. Unë do t’ju bëja pyetje juve: Pse opozita nuk ka thirrur neve me bë një protestë për fjalorin e Aleksandër Vuçiqit”, ka thënë Veseli.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka ironizuar duke thënë se Vetëvendosja s’ka qenë kaherë në protesta.

Sipas tij, protestat e iniciuara nga Vetëvendosje nuk duhet t’i merr parasysh askush, madje as opozita.

“Vetëvendosja s’ka qenë moti në protesta. Ata edhe mos me pas ndonjë arsye tjetër ma merr mendja e kishin zbulu një arsye diçka për ngrohjen globale në mënyrë që me i nxjerrë qytetarët e Kosovës në rrugë. Ma merr mendja që nuk e meriton me u trajtu seriozisht as prej opozitës e lëre më prej koalicionit qeverisës”, ka thënë Krasniqi.

Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se pozita nuk e mbështet protestën e thirrur nga Vetëvendosje. Ndërkohë që e ka quajtur të ligjshme protestën e 29 shtatorit.

Ndryshe, protesta e Lëvizjes Vetëvendosje do të mbahet më 29 shtator.