Vetëvendosjes i largohet edhe anëtari i kryesisë, Zgjim Hyseni

05.01.2018 17:06:21

Pas dorëheqjeve të një pas njëshme në Vetëvendosje, ka ardhur edhe një dorëheqje tjetër. Kësaj radhe dorëheqje ka ofruar anëtari i kryesisë së VV-së, Zgjim Hyseni.

Këtë e ka konfirmuar vetë Hyseni. “Po është e vërtetë” ka thënë shkurt Hyseni.

Në letrën e tij të cilën e posedon Telegrafi, Hyseni ka lënë si arsye për dorëheqjen e tij gjendjen e krijuar në këtë parti.

Letra e plotë:

Të nderuar anëtarë të Kryesisë,

Nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes!

Në gjendjen që është krijuar, unë nuk mund ta vazhdoj më punën në Kryesinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Jam përpjekur që mospajtimet e mia t’i shprehi përmes diskutimeve në forumet e Lëvizjes, përfshirë Kryesinë, por kam parë veçse vesh të shurdhër. Pas një fushate sistematike të shpifjeje, linçimeve e etiketimeve, dhe pas një mungese të pabesueshme vullneti që këto probleme të adresohen drejt, e vetmja rrugë kundërshtimi më duket dorëheqja.

Nuk mund ta duroj ketë barrë në ndërgjegjen time. Personalisht, nuk më ka thënë kush gjë, por as që e bëj këtë thjesht se po më dhimbset dikush. Çfarë më brengos shumë është fenomeni, por sidomos precedenti që po vendosim. Thjesht nuk e kapërdij dot, sepse e di që po e bëra këtë shumë gjëra tjera shkojnë vaj pastaj.

Kemi thënë sa herë se jo çdo mjet arsyeton qëllimet, disa mjete e metoda madje mund t’i ndryshojnë ato. Me rrugën që kemi marrë kam frikë se nuk po shkojmë drejt realizimit të qëllimeve për të cilat përpiqemi tash 12 vjet.

Shëndet, Zgjimi.