Vetingu të bëhet në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të paanshme

13.12.2018 15:59:34

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) prezantoi sot raportin e përbashkët me Institutin Columbus “Vetingu pa alternativë”, ku janë prezantuar raste konkrete që dëshmojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë, si policia, prokuroria dhe gjyqësori nga politika dhe grupet e interesit në Kosovë.

Zyrtarët e lartë shtetërorë si përfaqësues politik, jo në aspektin formal, por në aspektin praktik janë ndikuesit e drejtpërdrejtë në rekrutimin e gjykatësve dhe prokurorëve si dhe në emërimin e pozitave kyçe në sistemin e drejtësisë, thuhet në raport.

Kjo ka ndikuar që sistemi i drejtësisë, të ketë gjykatës dhe prokurorë, sidomos në udhëheqje, që kanë lidhje të afërta apo janë “argatë” të drejtpërdrejtë të politikanëve të caktuar në pozita të larta shtetërore, thuhet më tej në raport.

Një prej shpjegimeve të kapjes së shtetit është politizimi i skajshëm i institucioneve publike, sidomos gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë. Krerët e institucioneve të drejtësisë, shoqërohen me të akuzuar të profilit të lartë të politikës, duke zbehur skajshmërisht besimin e qytetarëve, se rastet e tyre trajtohen në bazë të ligjit, thuhet në komunikatë.

Në anën tjetër, mosndëshkimi i veprimtarive të korrupsionit, sidomos të profilit të lartë, dëshmon për amnistinë e tërësishme që iu bëhet politikanëve të korruptuar.

Për më tepër, IKD ka ngritur shqetësime për dukurinë e amnistisë së zyrtarëve të profilit të lartë, ndaj të cilëve qëllimisht ngritën aktakuza pa mbështetje të provave dhe dëshmive, të cilat rrëzohen në gjykata, duke iu krijuar imunitet përjetësisht për të mos u ndjekur për veprat e njëjta.

“Në burgjet e Kosovës, ende nuk vuan dënim me burgim efektiv asnjë zyrtar i profilit të lartë për shkak të aktgjykimit të formës së prerë për korrupsion. Mungesa e respektimit të sundimit të ligjit, korrupsioni i nivelit të lartë dhe pasurimi i shpejtë i zyrtarëve të lartë, shkalla e madhe e papunësisë, mungesa e investimeve të huaja, besueshmëria e ulët e qytetarëve në institucione të drejtësisë, dëshmon se sistemi i drejtësisë i ndikuar skajshmërisht nga politika dhe grupet e interesit, bashkëjeton me veprimtaritë kriminale dhe korruptive, duke mos i ndjekur dhe gjykuar ato”, thuhet në raport.

Sipas IKD dhe Columbus, është e domosdoshme që Kosova të fillojë me veprime konkrete drejt procesit të vetingut në polici, prokurori dhe gjykata, pasi përmes këtij procesi duhet të sigurohen qytetarët se vetingu do të bëhet në mënyrë të pavarur, të drejtë dhe të paanshme.

Ndryshe, raporti u prezantua gjatë tryezës me temë “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë – Nevoja për Vetting”, në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2018”.