Vetizolohet Kurti, një zyrtar qeveritar ka pasur kontakt të ngushtë me një të infektuar

11.05.2020 10:48:33

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është vetizoluar.

Kryeministri Albin Kurti prej sot është në vetizolim pasi një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalë pozitiv në testin për COVID-19. Ndërsa që edhe vet Kurti ka pasur kontakt me zyrtarin e MIE.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti tha se tashmë janë marrë mostrat dhe po presin rezultatet.

Shefi i ekzekutivit deklaroi se do t’i kryejnë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë si dhe do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë.

Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Të dashur qytetarë,

Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin.

Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE.

Do t’i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë.

Ju falemnderit.