Vettel beson te Botërori: Nuk do të dorëzohem!

28.09.2017 10:07:22

Incidenti në Singapor nuk e demoralizon Sebastian Vettel që tashmë duhet të presë një mrekulli për t’u rikthyer në garën e titullit kampion. 4 herë fituesi i botërorit të Formula 1 nuk dorëzohet pavarësisht 28 pikëve diferencë që ka me rivalin Lewis Hamilton. Në një intervistë, Vettel thekson se ka ende edhe shumë gara ku mund të rikuperojë diferencën me britanikun.

“Jam shumë i bindur se mund t’ia dalim mbanë dhe nuk mendoj aspak të heq dorë sepse do të vazhdoj të luftoj deri në fund”, thekson piloti gjerman. Ai rikthehet më pas te ai moment në Singapor që mund të rezultojë vendimtar për sezonin.

“Mund ta pranoj fajin por për ata që e shikojnë nga jashtë dinamikën është përherë e lehtë të flasin. Ai është një episod që nuk zgjat më shumë se 5 sekonda dhe dinamika është shumë e shpejtë. Nuk jam njeriu që mund të bëjë çmenduri për të qëndruar përpara por as njeriu që mund të humbasë pozicione lehtë. Nga çdo situatë përpiqem të marr maksimumin”, shton Vettel. Në fund, piloti gjerman shpreh besimin se makina që a në dispozicion do të ndihmojë për të garuar si i barabartë deri në fund të sezonit.