Vettingun në politikë, Meta: S’kam asnjë koment

07.09.2018 19:35:31

Presidenti Ilir Meta është treguar i rezervuar në lidhje me votimin e  dekretit për kthimin e ligjit të Teatrit Kombëtar në Kuvend. Gjatë një deklarate për gazetarët ai u shpreh se  Kuvendi është sovran për të vendosur dhe se nuk ka asnjë koment për këtë çështje. “Nuk kam asnjë arsye të paragjykojë vendimet e Kuvendit, i cili sapo ka çelur punimet. Rëndësi ka bashkëpunimi për të mirën e vendit”, tha Meta.

Ndërkohë ai kërkoi që palët të jenë më të përgjegjshme sa i takon detyrimeve dhe angazhimeve që Shqipëria ka në kuadër të integrimit europian.

Lidhur me propozimin e Partisë Demokratike për vetting ndaj politikanëve, përmes ndryshimit të Kushtetutës, ai tha se nuk ka koment për këto iniciativa.

“Shpresoj në një bashkëpunim dhe lexim të përbashkët të atyre sfidave me të cilat duhet të përballohet politika shqiptare në mënyrë të bashkuar për të garantuar çeljen e negociatave”, deklaroi Meta.