Video e deportimit, si u dërgua mësuesi gylenist nga Rinasi drejt Turqisë

02.01.2020 21:08:23

Mediat turke kanë bërë publike video të deportimit nga Shqipëria të mësuesit turk Harun Çelik, largim që ngjalli debat ndërkombëtar, pasi Çelik konsiderohej si kundërshtar i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan dhe mbështetës i Lëvizjes Gyleniste.

Në videon e xhiruar nga miq të Çelik në Tiranë, duket furgoni i blinduar i policisë teksa dërgon në aeroportin e Rinasit 42-vjeçarin.

Sipas policisë shqiptare, ndaj tij janë kryer procedurat për ta larguar nga Shqipëria, sapo ai kishte përfunduar një dënim, që mori në Tiranë.

“Në bazë të ligjit për të huajt, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”, shprehet policia, e cila nuk saktëson nëse Harun Çelik kishte kërkuar apo jo strehim e mbrojtje nga vendi ynë.

Harun Çelik, punonte në Shqipëri si mësues ndërsa u kap 5 muaj me pare në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë.

Ndërkaq vendimi i autoriteteve shqiptare për të dëbuar mësuesin turk, është gjykuar ashpër nga eurodeputetja Ramona Strugariu.

Ajo kritikoi qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter dhe i kujton kryeministrit Edi Rama ligjin ndërkombëtar që siguron mos ekstradimin e Harun Çelikut në Turqi.