VIDEO-E HËNA E QETË, THAQI NUK E THËRRET SEANCËN KONSTITUIVE

17.07.2017 20:38:35

U llogarit si javë vendimtare kur do të merrnin kah zhvillimet politike në vend. Por, dita e hënë nuk solli një zhvillim konkret. Presidenti i Kosovës, i obliguar ta thërrasë mbledhjen e Kuvendit, nuk ka ende një përgjigje se kur kjo mund të ndodhë. Në AAK thonë se janë në fazën e konsultimeve me partnerët e mundshëm, kurse LDK-ja ironizon me numrat që PAN ka thënë se i ka

Data 8 gusht, është afati i fundit kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të dalë nga vota e 11 qershorit. Por, deri tash nuk ka një vendim se kur presidenti kosovar do ta ftoj këtë mbledhje për të cilën e obligon neni 7 i Rregullores së punës së Kuvendit

Ardian Arifaj është këshilltar i presidentit Thaçi. Ai ka thënë për RTK-në se ende nuk është vendosur se kur do të mbahet seanca konstituive.

Në pritje të presidentit janë edhe partnerët e koalicionit parazgjedhor PAN në mënyrë që më pas të procedohet edhe me votimin e qeverisë.

Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Muharrem Nitaj, ka thënë se partnerët e koalicionit PAN, janë në fazën e konsultimeve me partnerët e mundshëm, jo për krijimin e numrave për të cilët, siç tha ai po spekulohet skajshëm, por për krijimin e një baze më të gjerë politike qeverisëse.

E në anën tjetër, kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë se heshtja e partnerëve të koalicionit PAN, tregon se ata nuk i kanë numrat.

“Matematika qeverisëse nuk është një mbledhje e zbritje prej autodidakti. Ajo është besim, pikësëpari dhe dashuri për vendin”, ka shkuar Hoti, në Facebook duke kujtuar se partia e tij, as nuk e shet e as nuk e blenë votën e qytetarit por e mbron atë si gjënë më të shenjtë.