Video e mësueses me kancer, Luan Rama: Propagandë e kryeministrit me jetën e qytetarëve

20.01.2018 21:00:54

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e sotme me një video të postuar në Facebook, ku shihet përkrah mësueses mirditore që vuan nga kanceri, teksa ajo trajtohet me ilaçin, për të cilin u ankua se mungonte në një dëgjesë publike.

Lidhur me videon e kreut të qeverisë ka reaguar nënkryetari i LSI, Luan Rama, i cili e quan një Pazar-propagandë me jetën e qytetarëve.

“Sot Edi Rama na uroi mirëmëngjesin e të shtunës me një shfaqje të shëmtuar, e denjë për pazarpropagandën e tij të neveritshme”, shprehet Rama.

Për numrin 2 të LSI kjo është fabula e shëmtuar e propagandës qeveritare.

“Për t’u shëruar nga sëmundja, duhet t’i thuash kryeministrit; për të ardhur ilaçi, duhet t’i thuash kryeministrit; që ta marrësh ilaçin; duhet të shkosh me kryeministrin; që të ta japin ilaçin në QSUT, duhet të shkosh me kryeministrin; që të ta bëjnë ilaçin, duhet të shkosh me kryeministrin!”, shkruan Rama.

Nënkryetari i LSI me rritim shprehet se “mijëra e mijëra të sëmurë që nuk mund ta takojnë dot kryeministrin që të shkojnë me të në spital, le të kënaqen me pazarpropagandën e tij”.

“Sepse zoti është ai, shteti është ai, doktori është ai,jeta është ai, vdekja është ai! Dhe pastaj na flet për sistemin, për shëndetësinë falas!”, thekson Rama.