Vijon ‘lufta’ për numrin e votuesve

03.07.2019 14:19:03

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ndryshoi numrin e pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, duke thënë se morën pjesë 22.9%.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, ka deklaruar se kjo shifër nuk është e vërtetë dhe se KQZ gënjeu edhe sot. Sipas tij, pjesëmarrja reale në zgjedhje ishte 15%, duke shtuar se mbushja e kutive nuk e ndihmon dot Edi Ramën.

“Të dhënat e sotme janë mashtrim. Kanë mbushur kutitë e votimit duke shtuar rreth 200 mijë vota në gjithë vendin. Pjesëmarrja reale është 15%, mbushja e kutive për t’i dhënë Ramës oksigjen nuk e ndryshon dot faktin se qendrat e votimit ishin thuajse bosh. KQZ mashtroi dhe akoma nuk ka dhënë llogari për dyfishimin e shifrës. KQZ zhduku transparencën, nuk  hodhi në sistemin online të dhënat, nuk publikoi asnjë tabelë me rezultate. Edhe tani Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk ka publikuar asnjë të dhënë”, tha Kaso.

Deklarata e plotë e Ivi Kasos:

Edi Rama ka thyer çdo rekord në historinë e manipulimit të zgjedhjeve. Nevoja për të mbuluar refuzimin masiv të shqiptarëve, e ka çuar të manipulojë rëndë edhe votimet e veta me 1 kandidat.

Në krye të këtij operacioni kriminal qëndron Komisioni Qendror i Vjedhjeve.

Të dhënat e sotme janë mashtrim. Komisionerët socialistë, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të vjedhjeve kanë rritur pjesëmarrjen me 8 për qind, që do të thotë se kanë mbushur kutitë, duke shtuar rreth 280 mijë vota në të gjithë vendin. Ata nuk kanë ruajtur dot as shifrën zyrtare të dhënë nga vetë Komisioni natën e 30 Qershorit.

Pjesëmarrja reale ne votimet e paligjshme dhe antikushtetuese të 30 qershorit është 15 për qind. Mbushja e kutive për t’I dhënë Edi Ramës oksigjen, nuk e ndryshon dot faktin se shqiptarët panë se gjatë gjithë ditës, veçanërisht pas mesditës, qendrat e votimit në të gjithë vendin. Ishin pothuajse bosh.

Komisioni Qendror i Vjedhjeve mashtroi gjatë gjithë ditës së dielë për numrin e pjesëmarrësve në votime.

Akoma sot, ky organ që nuk i shërben zgjedhjeve, por vjedhjes së Edi Rmës, nuk ka dhënë llogari pse në deklaratën e së dielës për pjesëmarrjen në orën 11.00 shifra u dyfishua në 12 përqind, kur, në të vërtetë, sipas dokumentit që publikoi Partia Demokratike, shifra reale ishte vetëm 6 për qind.

Siç kemi denoncuar më herët, për të manipuluar rezulatin e 30 qershorit, Komisioni Qendror i Vjedhjeve zhduku transparencën nëpërmjet dy mekanizmave.

  1. Më 30 Qershor të dhënat e pjesëmarrjes nuk u hodhën në sistemin online të të dhënave për të mos lënë gjurmë.
  2. Gjatë gjithë procesit të numërimit nuk u publikua asnjë tabelë me rezultatet.

Është e paprecedent, që në fund të procesit të numërimit, edhe tani që flasim, Komisioni Qendror i Vjedhjeve nuk ka publikuar asnjë të dhënë për qendrat e votimit për asnjë bashki.

Shifrat e deklaruara sot i shërbejnë propagandës së Edi Ramës për të fshehur dështimin dhe braktisjen totale, për të fshehur katandisjen e Partisë Socialiste në një parti rrogëtarësh, kriminelësh dhe klientësh biznesi.

Çdo e dhënë për këtë proces farsë tregon se ky është një proces i manipuluar, i paligjshëm, antikushtetues.

Kamikazët e Edi Ramës në Komision Qendror të Vjedhjeve dhe kudo tjetër do të mbajnë përgjegjësi penale!