Viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, ndër prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë

26.09.2016 17:20:58

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha priti në takim informues Prokuroren dhe Hetuesen për krime Ndërkombëtare dhe Dhunë Seksuale gjatë Konfliktit në kuadër të UN WOMEN, Maxine Markus, e shoqëruar nga Drejtoresha e Qendrës për Drejtësi dhe Përgjegjësi, Kathy Roberts.

Ministrja Hoxha, falënderoi Markus për punën e bërë deri tani, në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, njёherit shfaqi përkushtimin për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve.

Në takim, Hoxha potencoi vullnetin dhe përkushtimin e saj institucional në forcimin, dhe qasjen në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

“Ristrukturimi, dhe reforma ligjore dhe institucionale, zhvillimi i kapaciteteve të akterëve relevantë, si dhe mbështetja për fuqizimin dhe mobilizimin e përkrahjes publike për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, janë objektivat kyçe dhe zotimet e planit të veprimit” tha Hoxha.

Markus, shprehu mirënjohjen e saj për gatishmërinë e Ministres Hoxha për të thelluar bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe shfaqi qëndrimet e UN WOMEN, për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrinë e Drejtësisë, për të ofruar përkrahje dhe mbështetje për prokurorë dhe gjyqtarë që merren me rastet e dhunës seksuale gjatë luftës.

Hoxha, kërkoi që bashkëpunimi i deritanishëm të intensifikohet edhe më tej si në përforcimin e infrastrukturës ligjore, po ashtu edhe në rishikimin e ligjeve dhe gjetjen e modaliteteve më të mira, njëherit, duke përfshirë në proces të gjithë akterët relevantë.