Viola von Cramon: Të gjitha partitë politike ta respektojnë vendimin e Supremes

29.01.2021 21:58:16

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku ka lënë jashtë garës disa kandidatë për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate.

Përmes një postimi në Twitter, Viola von Cramon thotë se të gjitha partitë politike në Kosovë duhet të respektojnë vendimin e Supremes.

“Pas vendimit të Gjykatës Supreme për  ndalimin e Albin Kurtit nga kandidimi në zgjedhjet e jashtëzakonshme, dua të theksoj se të gjitha partitë politike të Kosovës duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme. Dhe shpresoj se ato do të bëjnë një fushatë korrekte në javët e ardhshme”, ka thënë ajo.

Theksojmë se, Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.

Në njoftimin për media thuhet se ankesa e ushtruar nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, është pranuar pjesërisht e themeltë nga kolegji i Gjykatës Supreme.

“Është ndryshuar pjesërisht vendimi i PZAP-së, Anr.17/2021, dhe vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Nr.244-2021, lidhur me certifikimin e kandidatëve për deputetë, duke urdhëruar KQZ-në, që kandidatët për deputetë Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, t’i përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së”, thuhet në njoftim

Sa i përket ankesës së AAK-së, Supremja ka vendosur që kandidatit Shemsedin Dreshaj t’i lejohet kandidimi, kurse ankesën e Nismës e ka refuzuar, duke lënë jashtë garës për deputetë 12 kandidatë.