Virusi Corona, në qytetet kineze ka edhe shumë shtetas shqiptarë

24.01.2020 17:50:49

Në Kinë ndodhen edhe shumë shtetas nga Shqipëria, të cilët punojnë atje prej vitesh. Me një prej tyre ne patëm një lidhje direkte në edicionin informativ të lajmeve. Ai quhet Ergys Luga dhe punon si trajner në qytetin e Shenzhenit në juglindje të Kinës.

I pyetur se si është situata në qytetin ku ndodhet, sa larg vatrës së sëmundjes ndodhet dhe a ka raste në qytetin e tij, ai shprehet:

“Unë ndodhem në një qytet në jug të Kinës, Shenzhenit, është afër Hong-Kongut. Sot është vënë dhe situata alarmante, nëpër metro janë forcat e sigurisë të shtuara, bëjnë një tip kontrolli në kokë dhe shohin nëse kemi ose s’kemi temperaturë. Janë anuluar festimet e Vitit të Ri për shkak të virusit. Këtu në këtë komunë janë evidentuar 15 raste. Nuk është një krahinë shumë e prekur, por gjendja alarmante është vendosur sot kështu që duhet të kemi kujdes”, thotë ai.

Ai tha se nuk ka kontakte me shqiptarët që janë atje.

“Nuk kam kontakte, sepse një mik shqiptar është kthyer në Shqipëri, sepse është me pushime për shkak të festimeve. Nuk mund ta quaj “Zombie Land”, por mund të them që është situatë alarmante. Me sa informacione kam unë, ato njerëz që kanë ndërruar jetë kanë qenë persona të cilët kanë pasur më herët një sëmundje, sëmundje të mushkrive ose të zemrës dhe virusi e kanë pasur më të lehtë ti godas.

Ai shton më tej se farmacitë kanë filluar të shpërndajnë maskat.