Viza për terroristin Blerim Heta që shqetësoi shtetin italian

30.12.2016 11:20:32

Një prej arsyeve të shkarkimit të ish-ambasadorit Michael Giffoni kishte qenë edhe mungesa e vigjilencës së tij në luftën kundër ekstremizmit islamik. Ai kishte nënshkruar vizë edhe për Blerim Hetën, i cili pas disa muajsh do të merrte jetën e pesëdhjetë vetave nëpërmjet sulmit terrorist të kryer në Bagdad.

Viza e lëshuar për Blerim Hetën, kamikazin nga Kosova që hodhi në erë vetën dhe pesëdhjetë persona të tjerë në Bagdad në mars të vitit 2014, kishte alarmuar autoritetet italiane në Romë.

Mungesa e vigjilencës e treguar në këtë rast, kishte bërë që drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të konkludonin se “sektori i vizave në Prishtinë ishte keqadministruar gjatë kohës së udhëheqjes së Giffonit”.

Për më keq, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, të cilët kishin inspektuar ambasadën italiane në Prishtinë kishin gjetur se viza për Blerim Hetën ishte nënshkruar personalisht nga ish-ambasadori Michael Giffoni.

Raporti inspektues për ambasadën italiane në Prishtinë, i siguruar nga Insajderi, tregon detajet se si kishte ardhur deri të miratimi i kërkesës së Blerim Hetës për vizë italiane.

Po ashtu, sipas raportit, drejtuesit e atëkohshëm të kësaj ambasade nuk ishin treguar vigjilent edhe në një rast tjetër- miratimin e kërkesës për vizë të B. Potokut që ishte bërë në të njëjtën kohë me miratimin e vizës për Hetën.

Që të dy, Potoku dhe Heta, pas marrjes së vizave italiane nuk ishin kthyer më në Kosovë. Vizat për ta ishin dhënë nga ambasada italianë në vitin 2013, sipas raportit të inspektorëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.

Disa muaj më vonë, më 25 mars të vitit 2014, Heta ishte bërë lajm botëror. Gjendej në Bagdad. Aty vendosi që të bëjë sulmin kamikaz, ku la 50 të vdekur. Forumet e xhihadit në internet e kishin shpallur menjëherë shehid (dëshmor), raportoi Gazeta Express.

Por vetëm një ditë më herët Heta nga Varoshi i Ferizajt kishte biseduar me babain e tij, nëpërmjet telefonit.

“Nesër do të takohem me All-llahun”, ishte lajmi që Heta ia kumtoi prindit të tij, raportoi Gazeta Express. Familja besonte se djali i tyre ishte duke studiuar për fe në Siri.

Por, pse viza italiane e lëshuar për të u bë problem për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë?

Ishte i përfshirë edhe numri një i shtetit italian në Kosovë, Michael Giffoni.

Kur inspektorët italianë që kryen hetimin gjatë vitit 2014 kishin hasur në vizën e lëshuar për personin me emrin Blerim Heta, atëherë kishin filluar të krahasonin foton e tij me fotot në internet të terroristit me këtë emër.

“Për më tepër, një seri e analizave te thella dokumentojnë që është lëshuar viza, me nënshkrimin e Giffonit , për Z. Blerim Heta, i cili, siç shihet duke krahasuar fotot në dosjen e vizave me ato që shfaqen në internet, ishte një sulmues vetëvrasës i cili hodhi veten në erë në sulmin e fundit në Irak i cili shkaktoi 52 viktima”, thuhet në raportin inspektues për ambasadën italiane në Prishtinë, të siguruar nga Insajderi.

Por si kishte ardhur deri të dhënia e vizave për terroristin Heta dhe Potokun që nuk u kthye më në Kosovë?

Eprorët në Romë kishin kërkuar përgjigje nga ish-ambasadori Giffoni.

Giffoni: Nuk është faji im, unë kërkoja gjithnjë vigjilencë kundër ekstremizmit islamik

Mbrojtja e Giffonit i kishte dërguar një përgjigje me shkrim Drejtorisë së Përgjithshme për Burime dhe Inovacion, që operon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Giffoni kishte mohuar se ishte përgjegjës për këto lëshime.

“Se pari, aplikacioni (i Blerim Hetës), i është dorëzuar atij (Giffonit) për nënshkrim kur faza hetimore tashmë kishte përfunduar dhe verifikuar nga menaxheri i departamentit të vizave. Në fakt, në dëshmi të dokumentuar është treguar se hetimi i dokumentacionit është finalizuar tërësisht nga Petani (që e ka përpunuar atë) dhe nga Charalambopoulos (i cili e ka autorizuar atë), ndërsa Ambasadori Giffoni vetëm e ka nënshkruar, duke vënë në dukje inicialet në dokumentacion , që tregojnë se dokumentacioni ishte kontrolluar nga Charalambopolous “, thuhet në përgjigjën e dërguar nga mbrojtja e Giffonit.

Po ashtu, sipas mbrojtjes, të përfshirë në shkresa ishin edhe zyrtarët përgjegjës për vizave të biznesit.

“…ndoshta që Heta kishte provuar fillimisht, por pa sukses, për të kërkuar një vizë biznesi”, thuhej në përgjigje.

Ndërkaq për rastin e Potokut, Giffoni kishte pohuar se i njëjti e kishte përdorur në mënyrë korrekte një vizë të mëhershme të lëshuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.

“Nuk është rrethanë e parëndësishme që një vizë turistike tashmë ishte lëshuar për Potokun nga Ambasada Italiane dhe që ishte përdorur në mënyrë korrekte, siç ka ndodhur zakonisht në praktikë gjatë gjithë mandatit të tij në detyrë”, thuhet në përgjigjen e mbrojtjes së Giffonit.

Mbrojtja pretendonte se Giffoni gjithmonë kishte kërkuar vigjilencë të madhe nga stafi për çështjen e ekstremizmit islamik, duke kërkuar verifikim rigoroz të listave të aplikantëve për viza. Këtë e bënte zakonisht gjatë takimeve të përditshme me stafin.

Por, drejtoria e përgjithshme për burime njerëzore nuk i kishte besuar pretendimeve të Giffonit.

Kishte konkluduar se shqyrtimi i tillë i dosjeve tregon mungesën e verifikimit të kujdesshëm të rrezikut të migrimit.

“Në dritën e asaj më sipër, del se Ambasadori Giffoni, në dhënien e paligjshme të vizave te diskutueshme, nuk e ka konsideruar fare sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare, as nuk e ka marre ne konsiderate emigracionin e paligjshëm dhe për rrjedhojë, në fund të fundit, e ka ekspozuar territorin e Republikës së Italisë me rrezikun e hyrjes se individëve nga një situatë veçanërisht delikate dhe komplekse (i përjashtuar nga liberalizimi Shengen), në të cilën rreziku i migrimit është veçanërisht i lartë”, thuhet në raportin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.