“Vizita e Vuçiqit në Kosovë fitore e madhe ndërkombëtare për Serbinë”

08.09.2018 10:15:09
Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin e ka quajtur vizitën e Vuçiqit në Kosovë fitore e madhe ndërkombëtare për Serbinë.

Ai thotë se Vuçiq është burrë trim dhe di të veprojë edhe atëherë kur i kanoset rrezikut.

“Vuçiqi është një burrë trim që gjithmonë injoron atë që quhet rrezik dhe kërcënim personal, kështu ka vepruar edhe në këtë rast”, ka thënë Vulin, shkruan blici.

Ai ka thënë ekzistojnë rreziqe por vizita do të realizohet ani pse pati presione nga ndërkombëtaret që të ndryshohet vendimi i Prishtinës që të vizitojë Gazivodën dhe Ujmanin, transmeton lajmi.net.

Kujtojmë, se dje Vuçiq kishte refuzuar të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Bruksel, në kuadër të dialogut për përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve. Shkak për këtë bojkot ishte ndalesa që autoritetet ndërkombëtare kishin bërë presidentit serb për ta vizituar Liqenin e Ujmanit.

Ndryshe, institucionet e Kosovës mbrëmë kanë ndryshuar qëndrim pas një presioni të SHBA-së që t’ia lejojnë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të qëndroj  edhe tek liqeni i Ujmanit, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

“Kërkesa është rishqyrtuar dhe është miratuar intenerari në përputhje me kërkesën zyrtare dhe në përputhje me rregullat për vizitat e zyrtarëve të lartë të paraparë me marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në përgjigjen e re të institucioneve të Kosovës për presidentin serb, të cilën e ka parë lajmi.net.

Burime brenda institucioneve të Kosovës bëjnë të ditur se pala kosovare gjatë gjithë ditës ka qenë në kontakt me partnerët perëndimor lidhur me këtë vendim dhe me sugjerim të SHBA-së ka lejuar që nesër Vuçiq të mund të qëndroj edhe tek liqeni i Ujmanit që ndodhet në veri të Kosovës.