Vizita e Xho Bajdenit në Kosovë dhe qëndrimi amerikan për çështjen e demarkacionit

16.08.2016 15:17:06

Nga Rexhep Kastrati

uneZëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden do të vizitojë Kosovën, me ç’rast do të takojë zyrtarët më të lartë të shtetit. Siç kam thënë dje, një nga çështjet që do të jetë pjesë e bisedave, do të jetë edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Kjo çështje do të jetë temë e bisedave për shkak se ka gati një vit që po keqpërdoret për qëllime politike dhe për destabilizimin e vendit. Dhe kjo ka ndodhur përkundër faktit se ka pasur dhe ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare, sidomos të SHBA-ve për këtë çështje. Bile Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur dy herë rregullshmërinë e demarkacionit. Edhe vizita e Sekretarit Amerikan të Sbtetit, Xhon Kerry në Kosovë, u realizua në kontekst të zhvillimeve tensionuese dhe në mbështetje të dy marrëveshjeve problematike. Edhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë kanë realizuar vizita në Kosovë me fokus në dy marrëveshjet në fjalë. Ambasadori amerikan, Greg Delawie vazhdimisht është shprehur në mbështetje të marrëveshjes për demarkacionin me besimin e plotë se Kosova nuk humb asnjë milimetër tokë. Prandaj zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, do të konfirmojë qëndrumin e gjertanishëm amerikan pêr demarkacionin dhe do të kërkojë që e njëjta të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Këtë e kanë të qartë të gjitha palët politike, si dhe i gjithë opinioni politik, mediatik dhe institucional. Në këtë kuptim, çdo spekulim lidhur me vizitën e zëvendëspresidentit të SHBA-ve, Xho Bajden dhe qëndrimin ndaj çështjes së demarkacionit, është vetëm një përpjekje për të fshehur veten mbrapa gjethes së fikut.