Vjedhje spektakolare në Lion të Francës – hajnat, në arrati me 70 kg ar

12.12.2016 15:47:48

Një grup agresorësh të armatosur janë në arrati, pasi grabitën të paktën 70 kg ar nga një furgon i blinduar në Francë.

Ngjarja ndodhi në afërsi të qytetit Lion në autostradën A6 dhe u përshkrua si një skenë filmi hollivudian nga dëshmitarë okularë dhe rojet e sigurisë së furgonit të kompanisë “Loomis”.

Mediet franceze shkruajnë se, të paktën 3 agresorë të armatosur përdorën dy makina për t’i bllokuar rrugën furgonit të blinduar në një dalje të autostradës. Pasi furgoni u ndal, grabitësit sulmuan me shpejtësi rojet e sigurisë, të cilët më tej i lidhën i vendosën në pjesën e pasme të furgonit.

Më pas, grabitësit u zhdukën me të paktën 70 kg ar, në një vlerë prej 2.5 milionë eurosh.

Para se të largoheshin nga vendngjarja, ata dogjën një prej makinave të tyre dhe zjarri u përhap duke djegur edhe makina të tjera aty pranë.

Makina e arratisë u gjet gjithashtu e djegur larg vendngjarjes. Autoritetet franceze nuk dhanë detaje për ngjarjen, por u mjaftuan duke deklaruar se kanë nisur hetimet.

Mediet franceze, ndërkohë, raportojnë se autoritetet nuk kanë të dhëna për grabitësit, që duket se janë larguar pa lënë asgjë gjurmë.