Vjen përsëri ndërmjet nesh autori i njohur Hys Xhemaili Hasa

25.09.2019 18:06:19

Nga: Prof.Murat Gecaj

Në mars të këtij viti, pata kënaqësinë të shkruaja dhe të publikoja një shkrim, kushtuar botimeve të kolegut  e mikut të nderuar Hys Xhemali Hasa, me banim familjarisht, në Filadelfia të Amerikës. Ai vjen në Atdhe, çdo vit, duarplot që andej dhe përuron libra të tij. Shkrimi në fjalë mbante titullin “Hys Hasa, nuk rresht me librat e tij  atdhetarë-letrarë” dhe i kushtohej pikërisht dy librave të tij.

Dhe ja, përsëri ky autor, tashmë i njohur, sapo ka shpërndarë në Internet një njoftim të ri. Aty bëhet e ditur për kolegë e miq dhe lexues tjerë të interesuar:

“Me datën 29 shtator 2019 ,ora 10:30,ne sallën e Muzeut Historik Kombetar të kryeqytetit Tiranë, zhvillohet përurimi i librave, ku jam autor: “Vlera intelektuale kuksiane”(vëllimi 3) ,”Gjurmë vlerash kuksiane”(vëllimi 1).

Aty janë trajtuar portretet jetësore të ish- drejtuseve të pushtetit në fshatra,kryetarë të ish- kooperativave bujqësore,drejtues ndermarrjesh,Heronj të Punës”; personalitete, që e kanë përjetuar luftën e egër të klasave në diktaturë,portrete miqësh e shokësh, që janë ndarë nga jeta gjatë kësaj periudhe.

Ftohen të marrin pjesë të gjithë personat, për të cilët është shkruar, për miq e shokë.

Mendoj se pjesëmarrja juaj është vlerësim për kulturëan krahinore kuksiane shqiptare dhe për mua, autor i këtyre librave.

Me respekt, miku juaj: Hys Xhemali Hasa

Filadelfia, 24 shtator 2019”

                                 x x x

Duke kërkuar mirëkuptimin e lexuesve dhe të autorit, në respekt të punës së palodhur të kolegut e mikut të përbashkët, Hys Xh.Hasa, po ribotoj shkrimin tim të mëparshëm.

Tiranë, 25 shtator 2019

HYS HASA, NUK RRESHT ME LIBRAT E TIJ, ATDHETARË-LETRARË…

1.

Në këtë shënim të thjeshtë, për dy libra të kolegut e mikut tim, Hys Xhemali Hasa, nuk do të zgjatem shumë. Jo pse ata nuk e meritojnë një gjë të tillë, por qëllimin e kam vetëm sa ta informoj lexuesin, që ky bashkatdhetar, me origjinë nga Vila-Luma e Kukësit dhe me banim në Filadelfia të Amerikës, nuk rresht duke shkruar e botuar libra të rinj për vendlindjen, për Atdheun e popullin tonë, trim e liridashës, i cili nuk u gjunjëzua kurrë para rrebesheve të kohës.

Një lexues i vëmendshëm ka vërejtur se ai shpesh publikon shkrime në Internet për bashkëkrahinas, për trima të pushkës e penës, për ata që nuk kursyen asgjë, që Shqipëria jonë e dashur të përparojë, në rrjedhat e shoqërisë europiane.

Në periudhën e verës, Hysa vjen në Atdhe e shkon në vendlindje, jo vetëm që të çmmallet me familjarë, kolegë, miq e dashamirë.Po, si një bletë e mirë punëtore, merr shënime për njerëz, ngjarje, histori, të djeshme e të sotme. Pastaj, kur kthehet atje, në vendbanimin e tij familjar, pagëzuar aq bukur “Bijtë e Shqipes”, ulet e vazhdon të shkruajë në serinë e librave të tij emërmirë e gjurmëlënës. Ata janë pritur me kënaqësi nga lexuesit dhe, bile, janë organizuar përurime të tyre, ku janë bërë vlerësime të merituara.

Ashtu si shumë kolegë e miq të tjerë të Hysës, edhe unë në bibliotekën time kam disa libra të këtij prodhimtari të palodhur e plot vullnet, si të ishte djalosh i ri, megjithëse mbi supe i rëndojnë disa vite të jetës. Por dëshiron që brezit të sotëm dhe atij, që vjen pas nesh, t’u flasë me dëshmi e fakte të gjalla për traditat e mrekullueshme të popullit të vendlindjes, Kukësit dhe mbarë Shqipërisë. Sepse kështu do të ndjehen kurdoherë krenarë, për udhën e përshkuar e do të jenë luftëtarë të paepur për lirinë e demokracinë e vërtetë.

2.

Arsyeja kryesore, që kësaj here po i shkruaj këto radhë, është se pikërisht sot më takoi djali i Hysës, Fitimi dhe më solli falëmeshndetet e tij, që nga Filadelfia. Por ai kishte dhe një qese për mua, me dy libra voluminozë të këtij autori emërmirë: “Vlera intelektuale kuksiane-3”(Tiranë, 2018), në 320 faqe dhe “Gjurmë vlerash kuksiane-1”(Tiranë, 2019), në 392 faqe. Të dy këta libra, me numrat, që kanë në fund, tregojnë se autori Hysë Hasa do të vazhdojë të shkruajë e botojë edhe libra të tjerë, po me këtë tematikë.

Siç e thashë dhe më lart, jam i ndërgjegjshëm se e meriton që të shkruhet gjatë për secilin nga këta 2 libra, ashtu si dhe për të tjerët, që ka publikuar Hys Xhemali Hasa. Por po mjaftohem duke e uruar dhe duke e falënderuar me zemër, për këto dhurata të çmuara të tij! Gjithashtu, uroj, shpresoj e besoj plotësisht që prej këtij autori do të kemi përsëri botime të reja, gjithnjë e më të arrira, që i plotësojnë kërkesat dhe shijet e lexuesve, si të asaj krahine, ku ai lindi e u rrit, por dhe më gjerë.

…Jo vetëm për ta informuar lexuesin, po dhe për të shprehur nderim e respekt për punën e bërë dhe botimet e deritanishme të autorit Hys Xhemali Hasa, më poshtë po shënoj emrat e librave të tij dhe vitet e botimit:

1.Vila, pjesë e krenarisë lumjane, 2008;

2.Midis emigrantëve shqiptarë në Amerikë,2010;

3.Nga Filadelfia, në Tiranë, 2011;

4.Mes shokësh, në shërbim të Atdheut, 2013;

5.Veprimtari atdhetare njerëzore, 2015;

6.Kontribute atdhetare, 2015;

7.Dritare kohe, në mençurinë kuksiane, 2015;

8.Personalitete ushtarake lumjane, 2016;

9.Lavdi, në përjetësi, 2016;

10.Vlera intelektuale kuksiane-1, 2016;

11.Vlera intelektuale kuksiane-2, 2018;

12.Të jetosh me dashamirësinë e vlerave njerëzore, 2018;

13.Vlera intelektuale kuksiane-3, 2018;

14.Gjurmë vlerash kuksiane-1, 2019.

…Në mbyllje tw këtyre radhëve modeste, e përshëndes nga larg kolegun dhe mikun e dashur Hys Xh.Hasa, duke e uruar e falënderuar për dy botimet e reja, si dhe duke i dëshiruar:

Shëndet të plotë, begati e mbarësi, krijimtari të frytshme, gëzime e lumturi, vetjake e familjare!

-Shumë të fala, familjarisht dhe të gjithë anëtarëve të Bashkësisë Shqiptare “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës!

-Mirupafshim përsëri, në kryeqytetin tonë, i dashur mik i nderuar dhe i paharruar, Hys Hasa! 

(Tiranë, 22 mars 2019)