Vjen reagimi i BE-së pas zgjedhjeve në Kosovë: Qeveria e re të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë

15.02.2021 12:48:33

Bashkimi Evropian është duke pritur certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 të mbajtura në Kosovë.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe komisioneri për zgjerim, Oliver Varhelyi, thuhet se BE-ja pret edhe formimin e Kuvendit dhe qeverisë së re, si dhe zgjedhjen e një presidenti të ri.

“Bashkimi Evropian ka vendosur një Mision të Ekspertëve Zgjedhor (EEM) i cili do të mbetet në Kosovë për të ndjekur procedurat post-zgjedhore gjithashtu dhe për të nxjerrë rekomandime. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën në arritjen e progresit të prekshëm në rrugën e saj Evropiane”, thuhet në këtë deklaratë.

Më tej BE-ja thekson se pret që institucionet e reja të Kosovës të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun me Serbinë.

“Kjo do të kërkojë që Kosova të përparojë në reformat, të udhëhequra nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Agjenda e Reformës Evropiane, si dhe në bashkëpunimin rajonal. Rruga evropiane e Kosovës gjithashtu kalon përmes normalizimit gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe BE-ja pret që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim të vazhdimit të takimeve të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë para vetes për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Borrellit dhe Varhelyit.

Edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka shkuar se zgjedhjet e djeshme në Kosovë demonstruan pjeku të institucioneve të saj dhe të gjithë akterëve relevantë dhe partive politike.

“Qytetarët kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet dhe unë pres që të punoj me qeverinë e ardhshme për vazhdimin e dialogut”, ka shkruar Lajçak.