Vjosa Osmani: A po kërkohet ndryshimi i Kushtetutës?

27.06.2018 13:06:58

Deputetja e Lidhjës Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) se Asociacioni duhet te jëtë në përputhje me marrëveshjet e arritura në mes Kosovës dhe Serbisë më parë, dhe jo në përputhje me vendimin e Kushtetueses.

Ajo në profilin e saj në Facebook ka kërkuar sqarim nga zyrtarët e BE-së, se pse po ndryshohet qasja rreth asaj se si duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, kur dihet sipas saj, se më 6 maj 2016, Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini kishte deklaruar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se ‘Asociacioni do të bëhet në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.’

Osmani ka pyetur se a po kërkon BE-ja që Kosova ta ndryshoj Kushtetutën e Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e plotë të Osmanit:

A PO KËRKON BASHKIMI EVROPIAN TA NDRYSHOJMË KUSHTETUTËN E KOSOVËS?

Më 6 maj 2016, Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini kishte deklaruar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se ‘Asociacioni do të bëhet në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.’

Dje, më 26 qershor 2018, Këshilli i BE-së, në konkluzionet për Kosovën deklaron se ‘Asociacioni duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e gushtit 2015 dhe atë të v.2013.’

A mundet dikush nga BE ta sqarojë pse ky kthim prapa? Pra tani kërkohet që të injorohet Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili kishte konstatuar se Statuti i Asociacioni nuk mund të hartohet sipas marrëveshjes së 25 gushtit meqë ajo binte ndesh me një sërë dispozitash kushtetuese. Prandaj, kërkesa e djeshme që ky statut të bëhet sipas marrëveshjes së gushtit 2015 mund të interpretohet si kërkesë për të ndryshuar kushtetutën e Kosovës.