Vjosa Osmani ka kohë që de facto nuk është pjesë e LDK-së

06.03.2017 12:38:49

Nga Rexhep Kastrati

Edhe pse nuk ia vlen të merresh më me Vjosa Omsanin dhe me qëndrimet e saj, megjithatë një pyetje që shtron qëndrimin apo jo të saj edhe më tej në LDK, riaktualizon edhe një herë angazhimet e saj në këtë parti.

Vjosa Osmani, rrugën e saj në LDK, pra si zyrtare e saj, e filloi nga zyra e president Sejdiut, i cili asaj i dha hapësirë shumë të madhe veprimi. Tash nuk dua të them se a ka ndikuar apo jo fakti se ata i lidhte puna e përbashkët në Fakultetin Juridik, por megjithatë, mbështetja që i dha Vjosës, president Sejdiu është e madhe. Ai e bëri sekretare për çështje juridike në LDK dhe në këtë cilësi, u bë edhe avokatja e tijnë Gjykatën kushtetuese në çështjen e përputhshmërisë së postit të Presidentit me funksione të tjera, çështje që e kishte humbur.

Me ardhjen e Isa Mustafës në krye të LDK-së, Vjosa Osmani jo që nuk u cenua fare, por pati mbështetjen e plotë të kryetarit të LDK-së, i cili e avnacoi në postin e nënkryetares së LDK-së, dhe përgjegjëse për çështje juridike. Edhe këtë radhë i takoi asaj që të merrej me kushtetutshmërinë e zgjehdjes së Behxhet Pacollit president, çështje të cilën e fitoi dhe ky i fundit dha dorëheqje.

Pas kësaj, rruga e Vjosa Osmanit ishte hapur për të kapur majat e saj: në zgjedhjet e vitit 2014, Vjosa Osmani pati mbështetjen e plotë të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe u rendit e treta në listën e kandidatëve për kuvendarë të kësaj partie. Edhe përfaqësimin e LDK-së në medie, Vjosa Osmani e pati të plotë dhe kjo i ndihmoi fort që të merrte vota të shumta në zgjedhje.

Periudha më problematike, si dhe hipokrizia e Vjosës ndaj Isa Mustafës dhe LDK-së ishte periudha paszgjedhore e vitit 2014, kur ajo do të vihet në krye të mbrojtjes së një akti kundërkushtues, çfarë ishte marrëveshja e WLAN, e të cilën do ta humbiste, dhe LDK-në do ta vinte në pozitë shumë të vështirë.

Pas kësaj, Vjosa gjithnjë e më shumë do të ndajë rrugën me LDK-në, e posaçërisht me kryeministrin Mustafa, dhe gjithnjë e më shumë do të tregojë se brenda saj vazhdonte të ishte vetëm për të realizuar axhenda të të tjerëve, përkatësisht për axhenda kundër LDK-së. Ajo hapur kishte treguar se i dhimbte shpirti për WLAN, pra për ta bërë Ramushin kryeministër.

Më vonë, ajo do të dalë hapur kur jo që nuk do ta votojë Isa Mustafën kryeministër, por do të shpërfaqë deklarata shumë të ashpra dhe shumë të rënda, në raste, edhe më të rënda se të vetë kundërshtarëve të LDK-së.

Baza e retorikës së saj kundër kryeministrit Mustafa ishte koalicioni që ishte bërë me PDK-në, dhe gjithë angazhimi i saj, duke manipuluar edhe çështjen e vrasjeve politike, si dhe filozofinë politike të presidentit Rugova, por qëllimi ishte i njëjtë si i PDK-së, AAK-së, sektës okulte të Albinit, Nismës dhe në përgjithësi me strukturat mafiozo-politike që kontrollojnë edhe korpusin medietik.

Kandidatura e saj për kryetare të LDK-së, në fakt, ishte një përpjekje për grushtshtet të brendshëm, dhe për ta rrëzuar Qeverinë. Mirëpo, kjo kandidaturë shpërfaqi disa elemente të bumerangut juridik dhe të injorancës së saj politike: ndryshimet në Statutin e LDK-së të kryera nga një ekip në krye me Vjosa Osmanin, e që kishin përcaktuar që kandiadti për kryetar të LDK-së t’i ketë 50% dhe një votë, do t’i hakmerret asaj, sepse nuk do të arrijë fare këtë përqindje.

Në anën tjetër, e ashtuquajtura platforma e saj zgjedhore, u bazua në riciklimin e njerëzve që më 2006 kishin bërë çarjen e madhe të LDK-së, si dhe me një koncept të demokracisë së drejtpërdrejtë. Dhe këtu Vjosa tregoi se është një injorante që nuk ka lidhje me politikën dhe me konceptet themelore të demokracisë. Demokracia e drejtpërdrejtë, që është formë e vendimmarrjes së qytetarëve, u përmend nga Vjosa edhe për çështjen e koalicioneve qeverisëse. Vjosa propzonte se nëse bëhej kryetare e LDK-së, do të mbante referendum për koalicione, edhe pse raporti ndërmjet votës partiake dhe votës qytetare ka një dallim të madh, e së këndejmi edhe referenca për lista votuesish në referndum ishte e paqartë dhe e panjohur. Me këtë Vjosa, pos injorancës së saj, kishte shpërfaqur edhe cenim të rëndë të parimeve normale demokratike, sipas të cilave, koalicionet qeverisëse bazohen në rezultatin e zgjedhjeve dhe në marrëveshje ndërmjet forcave politike.

Kulmin e destruktivitetit dhe të injorancës së saj, Vjosa e arriti në vitin 2016 kur bashkë me Ilir Dedën propozuan një të ashtuquajtur platformë pesëpikëshe, me të cilën cenohej rëndë kushtetuta, rendi juridiko-institucionl i shtetit dhe që çonte në një angazhim parapolitik që zhbënte vullnetin e qytetarëve në zgjedhje.

Ishte e qartë se Vjosa bënte gjithçka për ta dobësuar LDK-në dhe për ta çarë atë në pamundësi për ta pushtuar atë. Dhe kjo e ashtuquajtur platformë pesëpikëshe ishte vetëm një nga ato anagzhime, por edhe dëshmia konkrete se ajo po realizonte axhenda të huaja për LDK-në, si dhe trasimin e një rruge të përbashkët politike me Ilir Dedën.

Me deklarimet për daljen e një parite të re, ishin shtuar zërat për aderimin e Vjosës në këtë parti, por kjo nuk ndodhi edhe pasi u deklarua e themeluar ajo parti.

Megjthatë, informacionet për udhëtime të përbashkëta me Ilir Dedën, njëri ndër të cilët mund të jetë edhe një udhëtim i datës 24 shkurt, duket se poe bëjnë më të qartë, se rruga e saj dhe e LDK-së tashmë janë ndarë, dhe mbetet të shihet se a do të realizohet konkretisht.

Shpresat e saj se me rrëzimin eventual të Qeverisë, do të mund ta pushtojë LDK-në, duket se i janë shuar, pasi që në rast se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, partitë shkojnë me këtë përbërje strukturore, kurse ata që kanë vepruar në kundërshtim me Statutin e partisë dhe me vendimet e organieve kolegjiale të saj, nuk do të jenë në lista zgjedhore.

Largimi eventual edhe de facto edhe de jure i Vjosës nga LDK, natyrisht se do të ishte një përfundim logjik i gjithë angazhimit të saj gjatë tërë kohës, por edhe një dëshmi e keqpërdorimit të vlerësimit që LDK dhe kryetari Mustafa patën te ajo.

Megjithatë nuk është hera e parë që individë kanë keqpërdorur vlerësimin që LDK ka pasur për ta, duke i avancuar në pozita të larta dhe të pamerituara, dhe nuk do të jetë as hera e fundit, pasi që të tjerë do të dalin dhe do të mund të dalin, edhe pse aktualisht janë përfitues të mëdhenj të pozitës qeverisëse që ka LDK.