Vlahutin: Në Shqipëri duhet të sundojë ligji dhe jo paraja

08.02.2018 11:15:35

Hapja e negociatave e ankoron Shqipërinë në rrugën e pakthyeshme të reformave sistematike, por sipas ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, vizioni i strategjisë së re të bllokut, duhet të konkretizohet me procesin e reformave dhe të prioriteteve.

Vlahutin thotë se procesi i zgjerimit nuk është ndaluar kurrë për asnjë nga vendet e Ballkanit dhe sa i takon Shqipërisë, ajo thekson se ka bërë një punë të jashtëzakonshme me miratimin konsensual të amendamenteve të kushtetuese për reformën në drejtësi.

“Është shumë herët për të bërë një vlerësim të duhur, por duke parë ritmin e zakonshëm të reformës, Shqipëria ka bërë për tre vjet, diçka që në rrethana të tjera mund të kishte marrë një dekadë ose më shumë, – tha Vlahutin në një intervistë për DË. – Tani është shumë e rëndësishme të shohim rezultate të prekshme, produktet e para të rishikimit të plotë të sistemit. Sa për atë se ku ka ende nevojë të shihet progres: ne kemi në axhendën tonë 5 prioritete kyçe që janë një detyrim absolut. Por gjithashtu ka shumë për të bërë kur është fjala për sektorë të rëndësishëm, si mjedisi, bujqësia, transporti, gjithçka që është thelbësore për zhvillimin ekonomik. Diçka që personalisht mendoj se duhet të jetë në krye të agjendës sonë është çështja e pronës. Nuk është vetëm një problem ekonomik, por edhe një burim padrejtësie të tmerrshme. E kuptoj kompleksitetin e çështjes, por është e rëndësishme që kjo çështje të adresohet”.

Çfarë pret BE nga Shqipëria që t’i konsiderojë të pakthyeshme rezultatet e Reformës në Drejtësi?

“Të njëjtat pritshmëri me ato që kanë qytetarët shqiptarë: të shikojmë  një gjyqësor funksional, të pavarur dhe të përgjegjshëm, ku nuk ka sundim parash, por sundim të ligjit. Procesi i vettingut ka filluar para pak  më shumë se dy muaj, presim që seancat shqyrtuese të mbahen brenda pak javësh dhe kjo do të mundësojë ngritjen e institucioneve të reja”, – shtoi Vlahutin.

Vlahutin ka folur edhe për çështjen e kanabisit dhe operacionet e fundit policore në vend, duke nënvizuar se ka parë një angazhim nga ana e Policisë së Shtetit për të luftuar fenomenin.

“Të gjitha të dhënat tregojnë se kultivimi i kanabisit ka qenë për dekada të tëra një problem në Shqipëri. Ne i vumë në dukje qeverisë nevojën për një plan të menjëhershëm, vendimtar dhe të qëndrueshëm për çrrënjosjen e plotë të kanabisit, një herë e përgjithmonë. Ministritë përkatëse, të ndihmuara nga ekspertë ndërkombëtarë, hartuan një strategji që u zbatua që në fillim të vitit  2017. Dhe ja ku janë rezultatet: në vitin 2017 ka një rënie dramatike të numrit të plantacioneve të kanabisit dhe ne po  presim të shohim, këtë pranverë, paketën tjetër të të dhënave nga fluturimet  mbikqyrëse, (të kryera nga Guardia di Finanza)”.

Ambasadorja e BE-së është e bindur se “çelësi i suksesit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit do të jetë zbatimi i reformës së drejtësisë, që do të përmbysë trendin e mungesës së rezultateve nga prokuroria dhe në shumë raste praktikat gjyqësore te korruptuara. Në muajt e fundit  kemi parë një forcë policore shumë më të angazhuar, kemi parë progres në rritjen e interesit gjyqësor për të identifikuar baronët e drogës. Për një rast ka më në fund një padi, një rast tjetër po rishqyrtohet nga gjykatat dhe për një rast i tretë u  morën masa për të sekuestruar fuqinë ekonomike. Po presim gjithashtu të shohim nëse Prokuroria do të bëjë progres të pandërprerë për rastin e ish-Ministrit të Brendshëm”, – tha mes të tjerash.