Vogëlushja me djegie në trup niset për trajtim drejt Turqisë, Edi Rama lutet për të (Foto)

13.07.2017 17:33:59

Dyvjeçarja Altea Jubi, e cila ka djegie në 70 për qind të trupit dhe prej ditësh lufton për jetën është nisur këtë të enjte drejt Turqisë, për të marrë trajtim më të specializuar.

Lajmin e ka bërë të ditur në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama, i cili një ditë më parë njoftoi angazhimin e tij për të ndihmuar vogëlushen, duke siguruar transportimin e saj në një klinikë të specializuar në Turqi.

“Vogëlushja në rrezik për jetën nga një djegie e rëndë u nis me avion-ambulancë drejt një klinike të njohur në Stamboll. Lutemi që të kthehet shëndoshë e mirë”, ka shkruar kryeministri shqiptar në një postim në Facebook.

Vogëlushja nga Peqini pësoi djegie në pjesën më të madhe të trupit pasi ra në një tenxhere me qumësht të valuar.

Prej datës 8 Korrik, familjarët e saj në rrjete sociale kanë bërë apel për ndihmë.

Sipas tyre, shkruajnë mediat shqiptare, Altea ka pësuar dëmtime në organe, si veshka e zorrë dhe ka pësuar gjithashtu helmim të gjakut.