Vokshi akuzon Ramën: Vodhe sot 100 mln euro për të blerë vota

04.04.2017 20:00:37

Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka  vijuar edhe sot akuzat për korrupsion ndaj kryeministrit Edi Rama në sektorin e shëndetësisë. Sipas saj, Rama u kthye sot në QSUT për të mbyllur pazarin e 100 milion eurove që i dha mikut të tij Ilir Rrapaj për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, të cilat janë finalizuar në qeverinë “Berisha” me fondet e Bankës së Këshillit të Europës.

“Komandanti i Legjionit të korrupsionit u kujtua për të sterilizuar bisturitë në përpjekje për të shpëtuar nga “kolonia e mikrobeve” që i kërkojnë t’ju kthejë lekët e karriges kryeministrore. Thuhet se “krimineli” kthehet gjithnjë në vendin e krimit… Sot, Edvini u kthye në QSUT për të mbyllur pazarin e 100 milion eurove që i dha mikut të tij Ilir Rrapaj për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.

Qendra për sterilizimin e sallave operatore dhe pajisjeve kirurgjikale është finalizuar në qeverinë “Berisha” me fondet e Bankës së Këshillit të Europës. Pajisjet ishin blerë e montuar. Stafi i trajnuar dhe duhej të vihej në punë.

Por Ramës i duheshin para…për të blerë votat e qytetarëve…ndaj të gjitha pajisjet, ambientin, stafin bashkë me 100 mln Euro ia dha dhuratë, me një marrëveshje super abuzive a superkorruptive, sponsorëve të karriges së tij, të cilët morën koncesionin me kompani me vetëm 1 punëtor…!

100 mln Euro u vodhën në buxhetin e shëndetit për të kaluar në llogarinë e blerjes së “votës”!

100 mln Euro për mikun e çiftit Rama-Beqa…në vend që të siguronin barna e kura të nevojshme për pacientët. Edi Rama e ka infektuar me drogë e korrupsion karrigen e tij Kryeministrore… e s’ka Zot qe e sterilizon dot… Shqiptarët duhet ta largojnë njëherë e përgjithmonë këtë “Mikrob” sa pa infektuar gjithë Shqipërinë!”, shkruan Vokshi.