Vota jote është pushteti yt – voto!

26.09.2019 23:05:28
Nga Muhamet Hamiti
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e Ibrahim Rugovës, prijësit historik e burrështetasit të parë të Republikës së Kosovës, e kërkon sot besimin tuaj për ta rimëkëmbur shtetin e katandisur keq nga një klasë politike e padijshme. Kjo klasë ka sunduar, nuk ka qeverisur, siç e do rendi në një vend demokratik.
Kosova i ka sot punët më keq se në vitin 2008, kur e shpalli pavarësinë. Jeta shoqërore është degraduar, vlerat njerëzore e kulturore janë nëpërkëmbur, ekonomia e vendit është rrënuar. Pozita ndërkombëtare e Kosovës është dobësuar. E gjithë kjo për fajin e klasës politike që në vitet e fundit e kapi shtetin për interesat e veta.
Kam ushtruar detyra të rëndësishme si zyrtar i shtetit, i emëruar zëdhënës i Presidentit Rugova, këshilltar i Rugovës e i Presidentit Sejdiu. Poashtu, ambasador i parë i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.
Tash po e kërkoj votën tuaj, qytetarë të dashur, për të marrë detyrë me zgjedhje, jo emërim, për t’u bërë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Prandaj, e kërkoj votën tuaj për LDK-në, për partinë shtetformuese, për familjen politike të vlerave njerëzore e kombëtare, dhe për vete si kandidat i kësaj partie historike për ta bërë Kosovën të jetueshme për njerëzit e saj të mire, sot e përherë.
“Lidhja jonë (LDK) është e fortë e nuk shprishet, sepse bazohet në besim”, ka thënë shumë herë Presidenti Rugova.
Me besimin tuaj, do ta kem fuqinë për ta çuar në Kuvend zërin tuaj, zotimin për shtet ku sundon ligji e mbretërojnë dija, puna e nderi : për arsim më të mirë, për shëndetësi në shërbim të qytetarëve, për afirmim të kulturës autentike, për ekonomi të zhvilluar. Për Kosovën me integrime shqiptare e evropiane, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vota jote, qytetar i dashur, është pushteti yt.
Voto #134 LDK!
Voto #23 MUHAMET HAMITI