Vrasja e 49-vjeçares/ Dashi i fiksuar pas kunatës, dhunë e armën në kokë djemve

15.02.2019 13:19:36

Një histori Hollivudi me një fund tragjik të paralajmëruar duket të jetë ajo e Lire Xhepës, 49-vjeçares që u gjet dje e pajetë në kodrat e liqenit të Sharrës, ku trupi i saj dyshohet se është hedhur nga kunati Dashamir Xhepa.

Mes tyre ka pasur një marrëdhënie intime që me shumë gjasë ka nisur rreth vitit 2008, pak kohë pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj Bujar Xhepa. Ai vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe Liria mbeti e ve në një moshë të re, duke u detyruar të rrisë e vetme 4 djemtë e familjes që mbetën jetimë.

Më i madhi prej tyre që jeton në Londër ende nuk i ka mbushur 30 vjeç. Më i vogli jetonte me nënën në banesën 2 katëshe pranë zonës së Kombinatit, një tjetër gjendet në burg dhe tjetri po në emigrim si vëllai i madh.

Por për t’u kthyer te historia që çoi deri në ekzekutimin gjakftohtë të 49-vjeçares, duhet të kujtojmë se 11 vite më parë, kur kishte më shumë nevojë për mbështetje ajo u përball me probleme e dhunë të vazhdueshme nga kunati i saj Dashamir Xhepa.

“Panorama” duke cituar burime nga policia raporton se në vitin 2008, Lirie Xhepa u paraqit me dëmtime të shumta fizike në spital, por kur u mor në pyetje, deklaroi se kishte rënë nga shkallët. Por gjithçka u zbulua pasi inspektori i zonës zbuloi një gëzhojë armë zjarri pranë shtëpisë së saj. Më pas, ajo pranoi se shkaktar i dhunës së ashpër ishte kunati, Dashamir Xhepa.

Rezulton se kunati që i mori dje jetën, e kishte rrahur pas një konflikti pronësie, kur i vëllai i tij dhe burri i saj kishte vetëm pak kohë që ishte ndarë nga jeta.

Sipas dëshmisë ai madje e kishte kërcënuar me jetën e djalit. Në fund kishte nxjerrë armën, duke ia drejtuar nipit të tij dhe kishte qëlluar në ajër. Nuk dihet ende me saktësi nëse ka qenë ky momenti, kur edhe ka nisur lidhja intime e saj me kunatin dhe a ka qenë e detyruar ajo pas këtij momenti për të pranuar kushtet e tij që të mos kishin më konflikte.

Megjithatë, dëshmitarët kanë thënë për mediat se kanë qenë në dijeni të lidhjes prej një kohe të gjatë, madje edhe të dhunës.

Ndonëse Lirie Xhepa nuk e kishte adresuar asnjëherë në Polici dhunën dhe kërcënimet që kishte marrë nga kunati i saj Dashamir Xhepa, dëshmitë tregojnë se ajo vazhdimisht ka jetuar me frikë pasi dhunohej, por edhe nga djemtë e vet se mos e merrnin vesh lidhjen e fshehtë.

Madje, vitin e kaluar ajo ishte ankuar dy herë te një punonjës policie, duke i thënë se donte t’i jepte fund kësaj lidhjeje, pasi dhunohej sistematikisht nga kunati. Megjithatë, ajo nuk kishte pranuar që të bënte kallëzim kundër tij, edhe nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme, por edhe nga turpi.

Policia nuk e gjeti në shtëpi Dashamir Xhepën, i cili tashmë është shpallur në kërkim ai autor i vrasjes së 49-vjeçares. Ai ishte beqar dhe jetonte i ndarë nga vëllezërit e tjerë, ndërsa, sipas Policisë, kishte qenë i proceduar më parë, kur në vitin 2008 u mësua se kishte dhunuar kunatën.